Tirana sapo ka përmbyllur me sukses edicionin e tetë të Maratonës, ku morën pjesë më shumë se 4200 garues në katër kategori të ndryshme, duke përfshirë edhe rreth 1000 pjesëmarrës nga 50 vende të ndryshme të botës.
Atmosfera e garës ishte e mbushur me entuziazëm dhe energji pozitive, me nisjen nga Sheshi Skënderbej të kategorive 21 dhe 42 kilometra. Më pas, garuesit për 10 kilometra dhe kategoria “We Too”, e cila përfshinte personat me aftësi ndryshe, përçuan mesazhe shumë inkurajuese për të gjithë.
Fituesi i kategorisë “We Too”, Safet Plangaj, ishte shumë i emocionuar pas suksesit të tij, duke ndarë: “Kjo ditë për mua është e veçantë sepse mora vendin e parë. Lodhia ishte e madhe, por ia dola të triumfoj. Kjo është hera e tretë që marr pjesë dhe hera e tretë që fitoj”.
Në distancat 10 dhe 21 kilometra, garuesit nga Kenia patën një performancë të shkëlqyer. Ndërkohë, Luiza Gega na bëri të ndihemi përsëri krenarë, duke fituar në kategorinë e 42 kilometrave për vajza dhe duke vendosur një rekord kombëtar me kohën 2 orë, 34 minuta dhe 6 sekonda.
“Kam njerëz që më mbështesin në atë që bëj. Kjo maratonë është e veçantë, ndryshe nga çdo garë që kam bërë më parë,” tha Gega.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Taulant Stërmasi, theksoi se gjithçka shkoi për mrekulli, pa incidente, dhe se pjesëmarrësit patën një përvojë të shkëlqyer duke shijuar jo vetëm garën, por edhe pamjet e bukura të Tiranës.
Edicioni i 8-të i maratonës u përmbyll pa incidente, dhe kryebashkiaku Erion Veliaj pati nderin të dorëzonte çmimet për fituesit e kategorisë 42 kilometra. “Pashë shumë atletë që vraponin për kauzën e autizmit. Një qytet i mirë është ai që i shërben dhe ndihmon të gjithë. Kjo është Tirana jonë, dhe ju jam pafundësisht mirënjohës të gjithëve,” u shpreh ai.
Maratona e Tiranës nuk është thjesht një garë për të treguar aftësitë fizike, por një mundësi për të promovuar një stil jetese të shëndetshëm dhe për të shpalosur bukuritë e Tiranës turistike.
Ja lista e plotë e fituesve për secilën disiplinë:
Kategoria “We Too” (meshkuj):
- Safet Plangaj
- Denis Kaplani
- Napolon Nadilaj
Kategoria “We Too” (femra):
- Elona Bodini
- Enjola Duraku
- Fatbardha Nuzi
Kategoria 10 km (meshkuj):
- David Nikolli – Shqipëri
- Albion Ymeri – Kosovë
- Bogdan Somenoyyeh – Ukrainë
Kategoria 10 km (femra):
- Gresa Bakraqi – Kosovë
- Redia Dauti – Shqipëri
- Luisa Gaia Dal Molin – Itali
Kategoria 21 km (femra ndërkombëtare):
- Valentine Benedek Jebet – Kenia
- Saadia Fadili – Marok
- Fatihah Asmid – Marok
Kategoria 21 km (meshkuj ndërkombëtarë):
- Kennedy Kipkmoi Rono – Kenia
- Albert Kipkorirtonui – Kenia
- Adam Lomb – Hungari
Kategoria 42 km (femra ndërkombëtare):
- Luiza Gega – Shqipëri
- Mercy Chmutaj – Kenia
- Rose Jepchumba – Kenia
Kategoria 42 km (meshkuj ndërkombëtarë):
- Cosmas Kigen – Kenia
- Laban Cheruiyot – Kenia
- Bethwel Kiprono Chemweno – Kenia