Përballja me të vërtetën në Marinzë

Kushtet skandaloze të punës në Marinzë tregojnë trajtim të pabarabartë ndaj punëtorëve shqiptarë, ndryshe nga pretendimet e Bankers Petroleum.

Pretendimi i Bankers Petroleum se është një prej punëdhënësve më të respektuar në vend bie në kontrast të plotë me realitetin e përditshëm në terren. Në Marinzë, punëtorët shqiptarë jetojnë dhe punojnë në kushte të cilat vështirë se mund të quhen minimale për standardet njerëzore, ndërsa kompania përpiqet të paraqesë një imazh të ndritshëm nëpërmjet njoftimeve për shtyp.

Kontenierët ku hanë punëtorët shqiptarë në Marinzë janë në gjendje aspak të denjë për një kompani që deklaron se “vlerëson njerëzit”. Dhomat janë të papastra, me kushte higjieno-sanitare të dobëta.

Pabarazia është aq e thellë sa paga e një punëtori kinez është përshkruar shpesh si e barabartë me pagën e qindra punëtorëve shqiptarë të marrë së bashku. Kjo diferencë jo vetëm që është e padrejtë, por fyen dinjitetin e punëtorëve që prej vitesh mbajnë mbi supe prodhimin dhe suksesin e kompanisë në Shqipëri.

Ndërkohë që Bankers pretendon se kushtet e punës janë të mira dhe se kompania ka standarde të larta në trajtimin e punonjësve, dëshmitë nga terreni tregojnë tjetër histori. Punëtorët ankohen për presion, nënçmim dhe sjellje arrogante nga një pjesë e drejtuesve të kompanisë, të cilët shpesh trajtojnë punëtorët vendas si fuqi punëtore të zëvendësueshme dhe pa dinjitet.

Njoftimi për shtyp i Bankers përpiqet të krijojë idenë e një kompanie të drejtë, të përgjegjshme dhe sociale. Mirëpo, faktet në Marinzë janë të dukshme dhe të dokumentuara: standardet e jetesës dhe të punës ndryshojnë sipas kombësisë së punonjësit, duke treguar një diskriminim flagrant që bie ndesh me të gjitha parimet e barazisë dhe etikës profesionale.

Nëse Bankers me të vërtetë pretendon se “punonjësit janë aseti më i rëndësishëm i kompanisë”, atëherë duhet të nisë menjëherë me përmirësimin real të kushteve të punës për punëtorët shqiptarë, jo me deklarata të zbrazëta që synojnë vetëm të pastrojnë imazhin publik. Deri atëherë, çdo komunikatë zyrtare e kompanisë nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje për të fshehur të vërtetën që në Marinzë është e dukshme për të gjithë.

Ky është reagimi i plotë nga Bankers Petroleum

Njoftim për Shtyp

31 Tetor 2025

Bankers Petroleum Albania është krenar që është sot një nga punëdhënësit më të respektuar dhe më të qëndrueshëm në vend. Fakti që rreth 70% e punonjësve tanë janë pjesë e kësaj kompanie për më shumë se 10 vjet është një pasqyrim i asaj që përfaqëson Bankers, një kompani që vlerëson njerëzit, trajtimin e drejtë dhe kushtet e sigurta të punës. Gjatë kohërave të mira por dhe atyre sfiduese, punonjësit tanë kanë qëndruar pranë kompanisë, dhe kompania gjithmonë ka qëndruar pranë tyre. Kjo qëndrueshmëri e përbashkët është themeli i suksesit tonë.

Ne respektojmë të drejtën e çdo punonjësi për t’u organizuar dhe për të shprehur shqetësimet e tyre, por besojmë fuqimisht se ato duhet të bazohen në fakte, vërtetësi dhe respekt të ndërsjellë. Mbi të gjitha, duam të sigurojmë çdo anëtar të ekipit tonë se ne qëndrojmë pranë tyre dhe i vlerësojmë ata si asetin tonë më të rëndësishëm, forcën lëvizëse për një të ardhme pozitive dhe të qëndrueshme për të gjithë ne.

Bankers Petroleum Albania operon në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar të punës dhe me Marrëveshjen Kolektive të nënshkruar me sindikatën në dhjetor 2024. Që nga fillimi, kompania ka punuar me transparencë dhe respekt me sindikatën, dhe kjo marrëveshje pasqyron frymën tonë të bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë.

Të gjitha praktikat e punësimit, të kompensimit dhe kushtet e punës rishikohen rregullisht për të siguruar përputhshmëri të plotë me standardet ligjore dhe të industrisë. Struktura jonë e pagave përmbush dhe tejkalon kërkesën ligjore për punonjësit e naftës dhe gazit, duke siguruar që asnjë punonjës të mos paguhet më pak se 150% të pagës minimale kombëtare. Përveç pagës bazë, punonjësit marrin bonuse, shpërblime të lidhura me performancën dhe mbulim shëndetësor që shkojnë përtej detyrimeve ligjore. Kompania gjithashtu siguron kompensim të drejtë për orët shtesë, turnet e natës, punën në festat zyrtare dhe lejet vjetore.

Shëndeti dhe siguria e punonjësve janë thelbësore në gjithçka që bëjmë. Bankers Petroleum Albania mban disa nga standardet më të larta të sigurisë dhe shëndetësore në vend dhe në industrinë rajonale të naftës dhe gazit.

Ne operojmë me Shërbim Mjekësor në fushë 24/7. Mjekë të kualifikuar janë të pranishëm në vendet operative 24 orë në ditë, duke ofruar mbështetje të menjëhershme mjekësore dhe monitorim të vazhdueshëm shëndetësor për të gjithë punonjësit.

Ne garantojmë sigurim shëndetësor gjithëpërfshirës. Çdo punonjës dhe anëtarët e familjes së tij të ngushtë (bashkëshorti/ja dhe fëmijët) përfitojnë nga sigurimi privat mjekësor që përfshin:

Pagesë të plotë të pagës gjatë lejes mjekësore (14 ditë, duke tejkaluar kërkesat ligjore).

Sigurim jete për incidente në vendin e punës dhe jashtë vendit të punës.

Mbulim i plotë për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme duke përfshirë edhe ato malinje, si në Shqipëri ashtu edhe jashtë saj.

Kontrolle mjekësore vjetore në klinika të njohura.

Mbështetje financiare për lindjen e fëmijëve dhe nevoja të tjera mjekësore.

Kultura jonë e sigurisë është ndërtuar mbi parandalimin, vigjilencën dhe përmirësimin e vazhdueshëm.

Të gjithë punonjësit që punojnë në terren janë të pajisur me pajisje mbrojtëse personale (PPE) të çertifikuara që inspektohen rregullisht, zëvendësohen dhe përmirësohen, dhe mendimi i punonjësve merret parasysh sa herë që kompania shqyrton përdorimin e pajisjeve të reja mbrojtëse personale.

Ne zhvillojmë programe të shpeshta trajnimi për sigurinë që mbulojnë tema thelbësore si:

-Ndërgjegjësimi për sigurinë H₂S.

-Puna në lartësi;

-Hyrja në hapësira të kufizuara dhe përgatitjet para hyrjes.

-Siguria nga zjarri dhe reagimi ndaj emergjencave.

– Ndërgjegjësim për shëndetin dhe sigurinë, si dhe orientim industrial në vendin e punës për të gjithë punonjësit dhe kontraktorët..

Punonjësit kryejnë mbi 2,100 orë trajnimi në vit, dhe ne sigurohemi që çdo personel i nënkontraktorëve të përmbushë gjithashtu standardet tona të rrepta të sigurisë.

Bankers Petroleum Albania zbaton procedura të brendshme të rrepta, duke përfshirë:

Kufijtë e shpejtësisë dhe kontrollet e lëvizjes brenda zonave operative.

Sisteme moderne monitorimi me sensorë dhe kamera.

Inspektime të rregullta — mbi 2,400 inspektime të sigurisë teknike të kryera në vit në zona, platforma dhe sisteme mbrojtjeje nga zjarri. Të gjitha pajisjet e kompanisë janë të çertifikuara dhe të inspektuara në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Ne krenohemi shumë me faktin se në 21 vite aktivitet, Bankers Petroleum Albania nuk ka regjistruar kurrë një incident fatal në vendin e punës të punonjësve të saj, një dëshmi e angazhimit tonë të palëkundur ndaj sigurisë.

Bankers Petroleum Albania është një nga kompanitë e pakta në Shqipëri që ofron shërbime kaq të shumta shëndetësore dhe sigurie për punonjësit dhe familjet e tyre.

Përtej pagave, kompania ofron një sërë përfitimesh që demonstrojnë përkushtimin tonë të vazhdueshëm ndaj mirëqenies dhe dinjitetit të punonjësve:

Dieta ushqimore prej 13,200 lekësh në muaj, që tejkalon standardet kombëtare.

Transport për punonjësit në terren dhe dietë mujore fikse udhëtimi për stafin e zyrës.

Ndihmë humanitare dhe emergjente për punonjësit dhe familjet e tyre gjatë sëmundjes, fatkeqësive apo humbje të pronës.

Bankers Petroleum Albania riafirmon pozicionin e saj si një nga kompanitë më të pajtueshme, më të ndërgjegjshme për shëndetin dhe më të fokusuara te fuqia punonëtore në vend.

Kultura jonë e fortë e sigurisë, mbulimi gjithëpërfshirës shëndetësor dhe respektimi i rreptë i Kodit të Punës pasqyrojnë angazhimin tonë të vazhdueshëm për të mbrojtur dhe mbështetur çdo anëtar të familjes Bankers.

Ndaj Postimin: