Luhatjet e ndjeshme të temperaturave gjatë ditëve të fundit kanë krijuar vështirësi të mëdha për kultivuesit e luleshtrydhes në zonën e Kafaraj, në Fier.
Edhe për këtë vit, ata po përballen me të njëjtin problem: pjekjen e parakohshme të frutave, çka ka sjellë një superprodhim, por edhe një rënie drastike të cilësisë. Ky fenomen ka ndikuar drejtpërdrejt në çmimin e tregut, i cili ka rënë në nivele alarmante. Për fermerët, kjo është periudha kur ata presin të arrijnë pikun e prodhimit, për të kompensuar mundin e një viti të tërë.
Sipas kultivuesve të luleshtrydhes, nga 2600 lekë për kilogram që tregtohej disa ditë më parë, çmimi ka rënë në 800 lekë të vjetra. Ky ndryshim i papritur ka shkaktuar dëme të mëdha financiare, duke e vështirësuar edhe më tej ekzistencën e fermerëve të zonës. Ata shprehen se kjo situatë është e papranueshme, pasi po vuanin shumë për shkak të kushteve të pafavorshme të motit dhe për shkak të moskërkimit të mbështetjes nga institucionet përkatëse.
Fermerët kërkojnë një mbështetje më të madhe nga shteti, duke theksuar se në raste të tilla, qeveria duhet të ofrojë subvencione dhe të ndihmojë në gjetjen e tregut për prodhimin e tepërt. Ata janë të shqetësuar se politika ndihmëse nuk ka qenë e mjaftueshme dhe që deri tani nuk janë ofruar mundësi reale për t’u mbështetur gjatë periudhave të krizës.
Një kërkesë tjetër që kultivuesit e luleshtrydhes kanë bërë vazhdimisht është ngritja e fabrikave përpunuese të luleshtrydhes në zonën e Fierit. Ata shprehen se kjo do të ishte një mundësi e shkëlqyer për të përpunuar produktin dhe për të shmangur superprodhimin, që shpesh çon në humbje. Por, deri tani, kjo kërkesë ka rënë në vesh të shurdhër nga autoritetet lokale dhe kombëtare.
Për fermerët, kjo është një periudhë e vështirë, pasi investimet e tyre gjatë gjithë vitit duket se po shkojnë dëm. Ata kërkojnë një angazhim më të madh nga institucionet shtetërore dhe një mbështetje më të fortë për të siguruar që industria e luleshtrydhes të mund të mbijetojë dhe të rritet në të ardhmen.
Nëse ky problem vazhdon të përkeqësohet, rrezikohet jo vetëm humbja e të ardhurave për fermerët, por edhe mungesa e një të ardhmeje të sigurt për këtë sektor të rëndësishëm për ekonominë lokale. Fermerët janë të shpresuar që do të kenë një reagim më të shpejtë dhe të qëndrueshëm nga ana e shtetit, që do t’u mundësojë atyre të mbijetojnë dhe të zhvillojnë më tej kultivimin e luleshtrydhes në vitet në vazhdim.