Gjykata e Vlorës ka dhënë masat e sigurisë për tre të rinjtë e arrestuar pas akuzës për pengmarrjen e shtetasit kosovar Fisnik Xhaka. Orest Çorapaj dhe Julian Zogaj do të qëndrojnë në burg, ndërsa Vilson Agaj u vendos në arrest shtëpie.
Sipas policisë, Xhaka është mbajtur për rreth dy javë në një banesë në lagjen “Osman Haxhiu” dhe autorët i kanë kërkuar shtatëdhjetë mijë euro, një shumë që lidhet me një borxh të pashlyer. Viktima dyshohet se është dhunuar gjatë kohës që ka qëndruar aty.
Por mbrojtja jep një version tjetër. Në video të siguruara nga hetimi, kosovari shfaqet duke drekuar dhe biseduar pa probleme me të arrestuarit. Avokatët thonë se pamjet tregojnë qartë se ata njiheshin dhe se nuk ka pasur pengmarrje. Sipas tyre, kosovari kishte ardhur në Vlorë me valixhen e tij për të qëndruar disa ditë dhe nuk ishte mbajtur me forcë.
Policia gjeti në banesë rrobat dhe sendet personale të Xhakës, çka sipas mbrojtjes provon se ai kishte shkuar vetë atje. Denoncimi është bërë nga motra e tij në Suedi, e cila dyshohet të ketë keqinterpretuar situatën.
Hetimet vazhdojnë për të sqaruar plotësisht motivet, marrëdhëniet mes palëve dhe nëse ka pasur apo jo presion për pagesën e shumës prej shtatëdhjetë mijë eurosh.


