Partia Demokratike do të mbajë sot protestën e saj para godinës së Kryeministrisë. Për shkak të këtij tubimi, priten kufizime të qarkullimit në disa prej segmenteve kryesore të kryeqytetit.
Policia ka njoftuar se deri në rreth orën 18:00 do të ndalohet lëvizja e automjeteve në pjesën e bulevardit që shtrihet nga Ministria e Brendshme deri në sheshin Nënë Tereza. Përveç kësaj, të gjitha rrugicat dhe segmentet që lidhen me Bulevardin Dëshmorët e Kombit dhe me sheshin Nënë Tereza do të jenë të bllokuara gjatë protestës.
Në kuadër të masave të sigurisë, janë vendosur kamera për monitorim të situatës në mënyrë të vazhdueshme dhe shtyllat elektrike përgjatë zonës janë lyer me graso për të parandaluar ngjitjen dhe dëmtimet gjatë tubimit. Po ashtu, është bërë e ditur se automjetet e televizioneve nuk do të lejohen të parkojnë para Kryeministrisë, një masë që nuk është zbatuar në protestat e kaluara.


