PD tërheq firmat për Endrit Shabanin pas negociatave me PS, kandidatura nuk avancon në fazën e votimit

Procesi për zgjedhjen e Avokatit të Popullit ka pësuar një ndryshim të rëndësishëm, pasi deputetët e Partisë Demokratike kanë tërhequr firmat e tyre që mbështesnin kandidaturën e Endrit Shabanit. Megjithëse ai kishte siguruar mbi 28 firma, burime të Top Channel konfirmojnë se gjatë negociatave të ditës së sotme me Partinë Socialiste, mbështetja e demokratëve është tërhequr, duke e pamundësuar kalimin e tij në fazën përfundimtare – votimin në Parlament.

Shabani ishte ndër kandidatët më të pranueshëm për socialistët në listën me shtatë emra të propozuar nga PD, gjë që, sipas burimeve, ka sjellë edhe reagimin e demokratëve që vendosën të tërhiqen nga mbështetja.

Në konferencën e ditës së sotme për shtyp, kryetari i PD-së, Sali Berisha, nuk e përmendi emrin e Shabanit, por la të kuptohej se demokratët do të mbështesin kandidatët e propozuar prej tyre. Njëri nga emrat që Berisha ka përmendur publikisht është ai i Besim Ndregjonit, kryetar i Shoqatës së Ish-të Përndjekurve Politikë.

Endrit Shabani, i cili në zgjedhjet parlamentare ishte pjesë e një koalicioni me Adriatik Lapajn, ka pasur më herët një përplasje të drejtpërdrejtë me Sali Berishën, kur gjatë një debati televiziv i kërkoi atij të largohej nga politika dhe të hapte rrugën për të rinjtë.

Pas tërheqjes së firmave, kandidatura e Shabanit nuk mund të kalojë në votim, duke rikthyer negociatat mes palëve në pikënisje për zgjedhjen e Avokatit të Popullit.

Ndaj Postimin: