PD: Alarm për mbetjet e rrezikshme në portin e Durrësit, qytetarët të na bashkohen në protestë.

Deklaratë për Media nga Grigels Muçollari, Anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike

Përkundër kërkesave të shumta nga publiku, nga Rrjeti i Bazelit dhe nga Opozita, për të garantuar transparencë në testimin e mbetjeve të dyshimta që po kthehen në Durrës, qeveria ende nuk ka bërë publike asnjë hap konkret në këtë drejtim.

Anijet priten të kthehen të dielën, më 27 tetor, dhe do të ankorohen në Durrës, aty ku u ngarkuan me 102 kontejnerë për të cilët Rrjeti i Bazelit ka ngritur shqetësimin se mund të përmbajnë lëndë të rrezikshme. Kjo organizatë, një nga më të specializuarat për lëndët toksike, ka shprehur dyshimet se qeveria mund të manipulojë rezultatet e testimeve dhe i ka kërkuar dy herë që të sigurojë një proces transparent, ku çdo hap të jetë i dukshëm për publikun.

Rrjeti i Bazelit ka kërkuar gjithashtu praninë e ekspertëve dhe organizatave ndërkombëtare, përfshirë OLAF-in, zyrën e Bashkimit Europian për hetimin e mashtrimeve dhe korrupsionit. Ky institucion thekson se, nëse qeveria nuk përfshin palë të pavarura, ekziston një mundësi e madhe që e vërteta rreth këtyre mbetjeve të mos dalë kurrë në dritë.

Partia Demokratike është e bindur se Edi Rama po përpiqet të largojë përgjegjësinë nga ky trafik ndërkombëtar i rrezikshëm dhe mund të përpiqet të manipulojë të vërtetën. Ne nuk mund ta lejojmë një skenar të tillë!

Shqiptarët kanë të drejtë të dinë se nga vijnë këto lëndë të rrezikshme, sa janë ato, si trajtohen dhe ku përfundojnë. Ky informacion nuk është vetëm një e drejtë e tyre, por është thelbësor për jetën, shëndetin dhe mjedisin tonë.

Të dielën, më 27 tetor, ora 11:00, pranë hyrjes së Portit të Durrësit (në urën e Dajlanit), ftojmë qytetarët, banorët e Durrësit, Tiranës dhe nga e gjithë Shqipëria – familjarë, të rinj, organizatat e shoqërisë civile, ekspertët, media dhe organizatat ndërkombëtare – të jenë të pranishëm. Kjo do të jetë një mundësi për të garantuar një proces të drejtë dhe për të kuptuar të vërtetën e këtyre mbetjeve të dyshimta dhe të rrezikshme.

Të gjithë të jemi bashkë për të ndalur çdo përpjekje të qeverisë për të fshehur këtë skandal. Ngarkesa që mbërrin të dielën në Durrës duhet të shndërrohet në një moment transparence. Askush nuk ka të drejtë të rrezikojë jetën, shëndetin dhe mjedisin tonë!

Ndaj Postimin:

Postime të tjera