Strategjia Kombëtare për Krimin e Organizuar 2026–2030 pranon pastrimin e parave si rrezik serioz kombëtar, duke zbuluar burimet dhe mënyrat që përdoren në Shqipëri.
Qeveria shqiptare ka pranuar zyrtarisht ekzistencën e pastrimit të parave në vend, duke e përfshirë si prioritet në Strategjinë Kombëtare për Krimin e Organizuar 2026–2030, tashmë të hapur për konsultim publik. Dokumenti i qeverisë nënvizon se globalizimi dhe zhvillimet teknologjike kanë rritur ndjeshëm rrezikun e transaksioneve të paligjshme financiare, të cilat përbëjnë kërcënim në rritje për sigurinë ekonomike dhe integritetin financiar të vendit.
Sipas strategjisë, fenomeni përfshin një sërë aktivitetesh të paligjshme, që nga pastrimi i parave e deri tek trafiku i drogës, korrupsioni dhe evazioni fiskal. Këto veprimtari, sipas dokumentit, shërbejnë si burim financimi për organizata kriminale dhe rrjete terroriste, të cilat përdorin sistemin financiar ligjor për të fshehur origjinën e fondeve të paligjshme.
Në raportin e publikuar, theksohen disa forma konkrete të pastrimit të parave që janë identifikuar në Shqipëri. Një ndër më të zakonshmet lidhet me transferimin e fondeve nga krimet e kryera jashtë vendit – veçanërisht nga trafikimi i narkotikëve dhe pasuria e vjedhur – përmes investimeve në pasuri të paluajtshme apo transportit ndërkufitar të parave në dorë.
Një tjetër formë shqetësuese lidhet me mashtrimet financiare, përfshirë mashtrimet kompjuterike dhe investimet në platforma të palicencuara, që përdoren për të kaluar fonde në juridiksione të tjera ose për t’i kthyer ato në para cash. Këto skema, sipas dokumentit, shpesh përfshijnë individë apo grupe të strukturuara kriminale që shfrytëzojnë dobësitë e sistemit financiar.
Në listën e rreziqeve futen edhe krimet tatimore, ku përdoren kompani rezidente që nuk kryejnë aktivitet real ekonomik për të fshehur të ardhurat dhe për të manipuluar bilancet. Këto shoqëri “fiktive” regjistrohen për të shmangur TVSH-në dhe për të legjitimuar paratë e fituara në mënyrë të paligjshme përmes llogarive bankare apo investimeve të simuluara.
Një tjetër metodë e përhapur është përdorimi i personave të tretë, fizikë apo juridikë, për të maskuar burimin e të ardhurave nga korrupsioni apo abuzimet publike. Këta ndërmjetës, shpesh me lidhje të ngushta me autorët kryesorë, përdoren për të investuar në biznese, pasuri të paluajtshme dhe instrumente financiare që e bëjnë gjurmimin pothuajse të pamundur.
Strategjia e re e qeverisë vjen në një kohë kur Shqipëria përballet me kërkesa të shtuara nga institucionet ndërkombëtare për forcimin e mekanizmave kundër pastrimit të parave. Dokumenti e pranon qartë se fenomeni mbetet një plagë që cënon imazhin financiar të vendit dhe kërkon bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve për ta frenuar.