Pas votimit në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ku Klodjan Braho u zgjodh me shtatë vota drejtues i ri i Prokurorisë së Posaçme, ka ardhur edhe reagimi i parë nga Bashkimi Europian.
Ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato, përgëzoi Brahon për emërimin dhe theksoi se SPAK mbetet një institucion kyç në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, një nga kërkesat kryesore të procesit të integrimit të Shqipërisë.
“U ndodhëm këtu për të shprehur mbështetjen tonë për Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe për të ndjekur nga afër procesin e emërimit. SPAK ka një rol thelbësor në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Dje theksuam se kërkonim një drejtues që do të vazhdojë punën e bërë deri më tani. Ajo që kërkonim ishte një kandidat me nivele të larta pavarësie dhe integriteti,” deklaroi Gonzato.
Ai shtoi se Bashkimi Europian mirëpret bashkëpunimin me drejtuesin e ri të SPAK dhe se pret që puna e institucionit të vijojë me të njëjtin intensitet dhe rezultate konkrete.


