Protesta e opozitës përpara Kryeministrisë është shoqëruar me zhvillime të tensionuara, pasi kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje protestuesve të drejtohen drejt Kuvendit dhe më pas është larguar nga zona e tubimit drejt selisë së PD-së.
Largimi i Berishës ka ndodhur në një moment kur situata përpara Kryeministrisë u përshkallëzua. Disa protestues hodhën molotovë dhe fishekzjarre në drejtim të godinës dhe forcave të rendit.
Policia reagoi duke përdorur gaz lotsjellës dhe ujë për të shpërndarë turmën dhe për të ndaluar aktet e dhunshme. Pas ndërhyrjes së Policisë, një pjesë e protestuesve u tërhoqën nga sheshi përpara Kryeministrisë.
Ndërkohë, sipas thirrjeve të organizatorëve, protestuesit janë orientuar drejt Kuvendit për vijimin e tubimit, ndërsa autoritetet vijojnë monitorimin e situatës për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.