Një vendim i drejtësisë italiane i vitit 2016 është vënë në lëvizje këtë të shtunë në Belsh, ku u ndalua një 61-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për një dënim të formës së prerë prej 15 vjetësh, 9 muajsh e 18 ditësh burg.
Bëhet fjalë për Andrea Gjinin, i njohur edhe me identitetin Andrea Kuqja, i cili rezulton i dënuar nga Gjykata e Lucca-s për “Shfrytëzim prostitucioni”, “Trafikim të lëndëve narkotike” dhe “Plagosje”, sipas Kodit Penal italian.
Arrestimi u krye në kuadër të operacionit të koduar “Operacionalja”, që zhvillohet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale pranë Departamentit të Policisë Kriminale. Sipas strukturave ligjzbatuese, lokalizimi i tij u bë pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, duke çuar në ndalimin e tij në qytetin e Belshit.
Ndaj 61-vjeçarit është zbatuar masa e arrestit provizor me qëllim ekstradimin drejt Italisë, ku ai pritet të vuajë dënimin e dhënë nga autoritetet gjyqësore të atij vendi.