Pas protestës, Braçe kërkon ndryshime në Kodin Penal: Molotovi të konsiderohet armë terroriste

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, reagoi sërish në lidhje me përplasjet e ndodhura gjatë protestës së së martës, duke e cilësuar përdorimin e molotovëve si akt me rrezik të lartë për jetën.

Në një postim publik, Braçe i përshkroi molotovët si “bomba vdekjeprurëse” dhe kritikoi, sipas tij, relativizimin e rrezikut që paraqet përdorimi i tyre në ambiente me prani të policisë dhe qytetarëve.

Ai theksoi se gjatë diskutimeve të fundit për ndryshimet në Kodin Penal kishte kërkuar që molotovi të përfshihej si armë vdekjeprurëse dhe përdorimi i tij në turmë të konsiderohej si formë terrorizmi të brendshëm.

Sipas tij, kjo mundësi nuk u shfrytëzua, duke lënë një boshllëk ligjor në trajtimin penal të rasteve të tilla.

Reagimi i Braçes vjen në një klimë të tensionuar politike pas protestës, gjatë së cilës sipas bilancit zyrtar mbetën të lënduar 19 efektivë të Policisë së Shtetit.

Debati për klasifikimin ligjor të molotovëve dhe trajtimin penal të përdorimit të tyre pritet të rikthehet në diskutimet parlamentare në vijim.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033