Pas deklaratës së Trump për arrestimin e Maduro-s, Venezuela kërkon prova se presidenti është gjallë

Autoritetet e Venezuelës kanë kërkuar prova të menjëhershme për jetën dhe vendndodhjen e presidentit Nicolás Maduro, pas deklaratës së presidentit amerikan Donald Trump se udhëheqësi venezuelian është arrestuar dhe është nxjerrë jashtë vendit.

Zëvendëspresidentja Delcy Rodríguez, duke folur në televizionin shtetëror, kërkoi sqarime zyrtare lidhur me fatin e presidentit, në një situatë të tensionuar pas sulmeve ushtarake amerikane në territorin venezuelian.

Presidenti Trump deklaroi se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer me sukses një sulm të madh kundër Venezuelës dhe liderit të saj, Presidentit Nicolas Maduro”, duke shtuar se ai dhe bashkëshortja e tij janë kapur dhe janë fluturuar jashtë vendit. Trump bëri të ditur gjithashtu se operacioni është realizuar në bashkëpunim me organet ligjzbatuese amerikane dhe se në orën 11:00 do të mbahet një konferencë për shtyp në Mar-a-Lago.

Sipas raportimeve fillestare, sulmet amerikane kanë goditur disa objektiva strategjikë në Venezuelë, përfshirë bazat ushtarake Fort Tiuna dhe La Carlota, si dhe portin e kryeqytetit Caracas.

Në reagim, ministri i Mbrojtjes i Venezuelës, Vladimir Padrino López, njoftoi vendosjen e forcave të armatosura në të gjithë vendin dhe bëri thirrje për një rezistencë të përbashkët kundër asaj që e cilësoi si “agresioni më i keq” ndonjëherë ndaj Venezuelës.

Ai theksoi se forcat e armatosura do të veprojnë sipas “urdhrave të Maduros” dhe u bëri thirrje qytetarëve për qetësi dhe unitet. “Na kanë sulmuar, por nuk do të na mundin,” deklaroi ai, duke paralajmëruar kundër panikut dhe destabilizimit.

Ministri i Mbrojtjes njoftoi gjithashtu se qeveria ka shpallur “gjendje të trazirave të jashtme”, duke vendosur në fuqi një regjim emergjence në të gjithë vendin.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033