Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka paraqitur rekurs në Gjykatën e Lartë kundër masës së sigurisë që i ndalon daljen jashtë vendit, pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për bllokimin e pasaportës së saj.
Kërkesa e Ballukut synon heqjen e kësaj mase dhe pritet të shqyrtohet nga Gjykata e Lartë në vijim të procedurave ligjore. Bllokimi i pasaportës mbetet aktualisht në fuqi.
Balluku u mor e pandehur nga SPAK më 20 nëntor 2025 për veprën penale të shkeljes së barazisë në tenderë, në lidhje me procedurat për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë. Pas këtij zhvillimi, pas një ankimi të paraqitur nga qeveria, Gjykata Kushtetuese vendosi rikthimin e saj në detyrën qeveritare, ndërsa çështja mbetet ende në shqyrtim dhe Kushtetuesja nuk ka dhënë një vendim përfundimtar.
Më 16 dhjetor 2025, SPAK i kërkoi Kuvendit autorizim për arrestimin e Ballukut, duke paraqitur elementë të rinj hetimorë. Sipas njoftimit zyrtar, ajo është nën hetim edhe për shtatë lote të Unazës së Tiranës dhe dyshohet për tre procedura të tjera tenderimi, përfshirë koncesionin e rrugës Thumanë–Kashar.
Kërkesa për arrestim mbetet ende pa u shqyrtuar nga Kuvendi. Më 28 janar, ishte planifikuar mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për shqyrtimin e kërkesës së SPAK, por seanca u shty pa një datë të re.
Në këtë kontekst institucional të hapur në disa fronte, rekursi i depozituar në Gjykatën e Lartë përbën zhvillimin më të fundit procedural në çështjen që përfshin Gjykatën e Posaçme, Gjykatën Kushtetuese dhe Kuvendin.