Pas arrestimit të Maduros, Rusia kërkon mbledhje urgjente të OKB-së, Kina flet për shkelje të ligjit ndërkombëtar

Operacioni ushtarak i Shteteve të Bashkuara në Venezuelë dhe arrestimi i presidentit Nicolás Maduro kanë shkaktuar reagime të forta nga Rusia dhe Kina, duke rritur ndjeshëm tensionet diplomatike në arenën ndërkombëtare.

Presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi se forcat amerikane zhvilluan një ndërhyrje ushtarake gjatë natës në Venezuelë, duke arrestuar presidentin Maduro. Ai deklaroi se Maduro dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, do të dërgohen në Nju Jork për t’u përballur me akuza që lidhen me trafik droge, armësh dhe konspiracion kriminal.

Duke folur në Florida, Trump e përshkroi operacionin si historik. “Kjo ishte një nga shfaqjet më të fuqishme dhe më efektive të forcës ushtarake amerikane. Asnjë vend tjetër nuk është në gjendje të bëjë atë që bëri Amerika,” u shpreh ai.

Reagimi më i fortë erdhi nga Moska, e cila e dënoi operacionin dhe kërkoi thirrjen e një mbledhjeje të plotë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Autoritetet ruse deklaruan se SHBA ka kryer një akt agresioni të armatosur ndaj një shteti sovran dhe se arsyetimet e përdorura janë të pabazuara.

“Në këtë situatë është thelbësore të parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm dhe të kërkohet një rrugëdalje përmes dialogut,” thuhet në deklaratën zyrtare.

Edhe Pekini reagoi ashpër, duke deklaruar se përdorimi i forcës nga SHBA përbën shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare dhe cenon sovranitetin e Venezuelës.

“Kjo sjellje përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe kërcënim për paqen dhe sigurinë në Amerikën Latine dhe rajonin e Karaibeve,” deklaruan autoritetet kineze.

Reagimet e Rusisë dhe Kinës tregojnë për një ndarje të thellë ndërkombëtare lidhur me zhvillimet e fundit në Venezuelë dhe rolin e Shteteve të Bashkuara në rajon.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033