Pas 20 ditësh kërkime pa rezultat për gjetjen e trupit të 30-vjeçarit Jurgen Karaj në Klos, autoritetet shqiptare kanë kërkuar ndihmën e Forcave të Sigurisë së Kosovës. Një kontingjent kërkim-shpëtimi i FSK-së do t’i bashkohet operacionit që po zhvillohet në zonë, në përpjekje për të lokalizuar trupin e të riut.
Sipas të dhënave zyrtare, Jurgen Karaj ka qenë pasagjer në një automjet që drejtohej nga shtetasi Andi Losha. Ky i fundit u largua nga vendi i ngjarjes pa njoftuar policinë dhe pa i dhënë ndihmë pasagjerit. Pavarësisht kërkimeve të pandërprera për gati tre javë, trupi i 30-vjeçarit nuk është gjetur.
Angazhimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës u miratua nga Qeveria e Republikës së Kosovës, pas kërkesës së autoriteteve shqiptare. Vendimi parashikon dërgimin e një kontingjenti të kërkim-shpëtimit nga Regjimenti i Mbrojtjes Civile i Gardës Kombëtare të FSK-së.
Forcat kosovare i janë bashkuar operacionit të zhvilluar në Kolosit, në Republikën e Shqipërisë, për të ndërhyrë në kërkimin e një personi të humbur në rrjedhën e lumit Mat. Operacioni vijon, ndërsa autoritetet shqiptare dhe ato kosovare po bashkëpunojnë në terren për të çuar përpara kërkimet.