Eva Dumani është rikthyer në Shqipëri pas 12 vitesh në Siri, ku kishte mbetur në kampin Al Hol. Riatdhesimi i saj u realizua pas përpjekjeve të vazhdueshme të familjarëve dhe një operacioni të strukturuar sigurie.
Sipas familjarëve, Eva ishte larguar nga Shqipëria në moshë të mitur dhe kishte mbetur e vetme në kamp. Fillimisht, ajo u nxor nga territori sirian drejt Turqisë me ndihmën e dajës së saj, Xhetan Ndërgjoni, dhe më pas u realizua kthimi në Shqipëri.
Eksperti i sigurisë nga Kosova, Bedri Elezi, i përfshirë në operacion, deklaroi se procesi ka qenë i mbushur me sfida dhe rreziqe. Ai theksoi se Eva kishte bashkëpunuar në çdo hap dhe kishte zbatuar rekomandimet e dhëna deri në momentin e arritjes në Turqi.
Sipas Elezit, largimi nga kampi u realizua në kushte të rrezikshme, ku Eva dhe disa shoqe të saj ecën për rreth katër orë në shkretëtirë, derisa arritën në një fshat pranë kufirit me Turqinë. Me ndihmën e komunitetit shqiptar në zonë dhe koordinimin përkatës, u mundësua kalimi në territorin turk dhe më pas kthimi në Shqipëri.
Daja i saj, Xhetan Ndërgjoni, rrëfeu emocionet e ribashkimit, duke theksuar se për vite me radhë kishte kërkuar kthimin e saj dhe se Eva prej më shumë se dy vitesh i kërkonte ta nxirrnin nga kampi, duke shprehur dëshirën për siguri.