Partia Republikane ka shënuar 35-vjetorin e themelimit në një aktivitet ku morën pjesë drejtues, anëtarë dhe simpatizantë, si edhe përfaqësues të partive opozitare. Në ceremoni ishte i pranishëm edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, gjatë fjalës së tij theksoi se kjo forcë politike është ndërtuar mbi vlerat e djathta, si familja, prona, liria, shteti i së drejtës, patriotizmi dhe besimi në Zot. Ai nënvizoi se politika nuk duhet parë si privilegj, por si mision dhe shërbim ndaj qytetarëve.
Mediu theksoi se opozita duhet të bashkohet përballë korrupsionit dhe krimit, duke kërkuar rikthimin e demokracisë funksionale dhe të vlerave euroatlantike në jetën politike të vendit.
Gjatë aktivitetit, pas fjalës së Agron Dukës, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, vlerësoi figurën e themeluesit të Partisë Republikane, Sabri Godo, duke theksuar se aleanca mes dy forcave politike ka qenë ndër më të qëndrueshmet në të djathtën shqiptare.
Berisha u shpreh se kjo bashkëpunim ka pasur rol të rëndësishëm në proceset integruese të Shqipërisë, veçanërisht në anëtarësimin në NATO dhe në rrugën drejt Bashkimit Europian. Ai deklaroi se opozita duhet të reagojë ndaj situatës politike në vend dhe kërkoi krijimin e një qeverie teknike për garantimin e zgjedhjeve të lira.