Dhjetëra banorë të njësisë administrative Levan janë mbledhur sërish këtë të shtunë në fshatin Boçovë për të protestuar kundër ndërtimit të paneleve diellore në tokat e tyre bujqësore. Sipas tyre, ndërtimi po kryhet nga kompania Bervi Construction, pa miratimin e ligjshëm të pronarëve dhe mbi prona që u janë dhënë me AMTP të rregullta.
Me pankarta në duar dhe thirrje të forta, fermerët kërkuan rikthimin e menjëhershëm të tokave, duke theksuar se jetesa e tyre është e lidhur drejtpërdrejt me bujqësinë. Protesta u shoqërua edhe me akuza të rënda për përfshirje të zyrtarëve lokalë në një proces që, sipas banorëve, përbën grabitje pronash nën petkun e investimeve “të gjelbra”.
Në deklaratën për mediat, fermeri Sandër Mujo i bëri thirrje Prokuroria e Fierit të hetojë me urgjencë këtë çështje, ndërsa apeloi edhe tek kreu i ri i SPAK, Klodian Braho, që të marrë në dorë hetimet. “Tokat tona nuk janë pronë për pazare politike apo dhurata klienteliste. Kemi dokumente dhe do t’i shkojmë deri në fund,” u shpreh Mujo.
Jo vetëm përfaqësues të 14 familjeve të prekura janë bërë pjesë e protestës, por edhe banorë të fshatrave të tjerë të njësisë Levan. Ata e konsiderojnë këtë njësi ndër më problematiket në vend për çështjet e pronësisë, duke deklaruar se prej dekadash janë detyruar të sorollaten në dyert e gjykatave. “Levanin e kanë kthyer në simbol të korrupsionit me tokat,” thanë protestuesit, duke shtuar se nuk do të tërhiqen nga kauza e tyre.
Sipas banorëve, prej më shumë se një viti, prona e 14 familjeve figuron në emër të kompanisë Bervi Construction, ndonëse toka u është dhënë ligjërisht nga shteti me AMTP. Ata denoncojnë gjithashtu përfshirjen e kryetarit të Bashkisë Fier, Armando Subashi, në një proces “dhurimi” toke që, sipas tyre, nuk ka qenë kurrë pronë e bashkisë.
Nëse institucionet përgjegjëse do të vijojnë të heshtin, banorët paralajmërojnë përshkallëzim të reagimit dhe vijimësi protestash. “Nuk kërkojmë favore. Kërkojmë vetëm drejtësi dhe tokën tonë. Nëse shteti mbyll sytë, po na shtyn drejt vetëgjyqësisë,” u shprehën ata, duke lënë të hapur një konflikt që rrezikon të marrë përmasa edhe më të mëdha.


