Parisi i jep nderim të përjetshëm shkrimtarit Ismail Kadare

Në bulevardin Saint-Michel, Parisi vendos një pllakë përkujtimore për Ismail Kadarenë, duke e shpallur figurën e tij simbol të kulturës.

Parisi ka nderuar sot një nga figurat më të mëdha të letërsisë shqiptare, Ismail Kadarenë, me një pllakë përkujtimore të vendosur në zemër të qytetit. Ky gjest i lartë simbolik përfaqëson respektin që Franca i tregon autorit që la gjurmë të thella në letërsinë europiane.

Lajmin e ka bërë të ditur Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Francë përmes një reagimi në rrjetet sociale, duke e cilësuar këtë vendim si një akt nderimi jo vetëm për Kadarenë, por për gjithë kombin shqiptar.

Sipas ambasadës, Këshilli Bashkiak i Parisit votoi në mënyrë unanime për vendosjen e pllakës përkujtimore me emrin e shkrimtarit në adresën 63 Boulevard Saint-Michel, vendi ku Kadare dhe familja e tij jetuan për shumë vite. Pikërisht aty, ai krijoi disa nga veprat më të ndritura të letërsisë së tij, që sollën Shqipërinë në qendër të letërsisë botërore.

Ambasada shqiptare falënderoi autoritetet franceze për këtë nismë, duke theksuar se vendimi është një shenjë mirënjohjeje për kontributin e Kadaresë në forcimin e marrëdhënieve kulturore mes dy vendeve. “Faleminderit Parisit, faleminderit Francës”, thuhej në njoftimin zyrtar.

Ky veprim u përshëndet gjerësisht nga komuniteti shqiptar në Francë, i cili e konsideroi si një moment historik për letërsinë dhe identitetin kulturor kombëtar.

Pllaka përkujtimore, e vendosur në një nga zonat më të frekuentuara të Parisit, pritet të bëhet një pikë simbolike për vizitorët dhe dashamirësit e letërsisë, që do të kujtojnë Kadarenë jo vetëm si shkrimtar, por si ambasador shpirtëror i Shqipërisë në botë.

Ndaj Postimin: