Para zgjedhjes së kryeprokurorit të ri të SPAK, Ambasada Britanike apelon për proces të drejtë dhe transparent

Ambasada Britanike në Tiranë ka reaguar në prag të mbledhjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ku nesër pritet të zgjidhet drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme. Ky proces është cilësuar si një moment i rëndësishëm për forcimin e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit në vend.

Sipas deklaratës së publikuar në rrjetet sociale, Ambasada thekson se Këshilli i Lartë i Prokurorisë duhet të garantojë një procedurë të lirë, të drejtë dhe transparente në përzgjedhjen e pasuesit të Altin Dumanit.

Në reagim, përfaqësia diplomatike e Mbretërisë së Bashkuar shprehet se zgjedhja e drejtuesit të SPAK është thelbësore për ecurinë e reformës në drejtësi dhe për përparimin institucional të Shqipërisë.

Ambasada shton gjithashtu se Londra zyrtare është e gatshme të bashkëpunojë me drejtuesin e ri të SPAK dhe se synimi i përbashkët mbetet forcimi i bashkëpunimit dhe i rezultateve kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ndaj Postimin: