Panik dhe alarm në qendrën tregtare Northland pas një sulmi me thikë në Melbourne

Katër persona u plagosën në mëngjesin e së dielës në qendrën tregtare Northland në Preston, Melbourne, duke shkaktuar panik dhe ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet lokale.

Skena të tensionuara u regjistruan në qytetin australian të Melburnit, kur në qendrën tregtare Northland ndodhi një sulm i papritur me thikë. Dëshmitarë nga vendngjarja raportuan për situatë kaotike, ndërsa njerëzit vrapuan për të gjetur strehim dhe për të shmangur rrezikun.

Policia dhe shërbimet emergjente mbërritën menjëherë, duke rrethuar qendrën tregtare dhe duke bllokuar të gjitha hyrjet e daljet, në përpjekje për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe për të zbardhur detajet e ngjarjes.

Raportimet e para nga mediat lokale flasin për katër persona të plagosur, ndërkohë që nuk është bërë ende i ditur gjendja e tyre shëndetësore. Mjekët ndodhen në terren duke ofruar ndihmën e parë për të lënduarit.

Forcat e rendit arrestuan një person të dyshuar si autor i sulmit, ndërsa vijojnë kërkimet për dy të tjerë që dyshohet se janë të përfshirë në ngjarje. Hetimet po kryhen me intensitet, me synim identifikimin dhe kapjen e të gjithë autorëve.

Deri në këto momente, autoritetet nuk kanë dhënë informacion të detajuar nëse sulmi ishte i organizuar, i synuar ndaj një personi të caktuar, apo ndodhi rastësisht. Kjo ka rritur pasigurinë dhe shqetësimin mes qytetarëve.

Ndërkohë, pritet që policia të dalë me një njoftim zyrtar në orët në vijim për të sqaruar motivet dhe rrethanat e plota të ngjarjes. Shteti australian ka forcuar masat e sigurisë në qendrat tregtare të zonës pas incidentit.

Ngjarja ka sjellë reagime të shumta në opinionin publik dhe është bërë kryelajm në të gjitha mediat australiane, duke risjellë në vëmendje rëndësinë e masave të sigurisë në ambiente me prani të lartë qytetarësh.

Ndaj Postimin: