Panairi “Lushnja Art Fest”
Në sheshin e qytetarëve, përpara Bashkisë së Lushnjës, nën kujdesin e veçantë të deputetes së Lushnjës, Kiduina Zaka, dhe me përkushtimin e Zyrës Arsimore së bashku me drejtuesen Arta Dhamo, u organizua panairi “Lushnja Art Fest”.
Aktiviteti solli punime artistike, zeje artizanale dhe produkte tradicionale, duke e kthyer qytetin në një hapësirë plot ngjyra, kulturë dhe frymëzim. Në këtë panair morën pjesë 7 shkolla të Bashkisë së Lushnjës, me aktivitete për çdo moshë.
Atmosfera festive u pasurua nga tingujt e këngës dhe valleve popullore myzeqare, ndërsa punimet dhe krijimet e nxënësve pasqyronin motivet dhe talentin e çdo shkolle pjesëmarrëse. Qytetarë të shumtë vizituan stendat, duke vlerësuar punën e duarve të vogla që trashëgojnë dhe mbajnë gjallë artin dhe zejet tradicionale shqiptare.
Pjesë e këtij aktiviteti ishte edhe deputetja e Lushnjës, njëkohësisht një nga promotoret kryesore të panairit, Kiduina Zaka, e cila u shpreh:
“ Krijo me duar, jeto me zemër! ”
Ky panair solli jo vetëm ekspozim të talenteve të reja, por edhe një mesazh të fortë për ruajtjen dhe promovimin e traditave artistike e kulturore në brezat e ardhshëm.