Qyteti i Lushnjës u gjallërua këtë të shtunë nga panairi “Kultura dhe Tradita Rome”, një aktivitet që promovoi trashëgiminë, përfshirjen dhe bashkëjetesën e komunitetit rom.
Panairi i mbajtur në qendër të qytetit solli ngjyra, muzikë dhe shije unike nga kultura rome. Stendat u mbushën me gatime tradicionale, produkte bujqësore të freskëta dhe veshje të punuara me dorë, duke tërhequr vëmendjen e qytetarëve dhe vizitorëve, raporton gazetari Ndriçim Gjoshi
Organizimi u bë i mundur nga Shoqata “Amaro Drom” me qendër në Tiranë, në bashkëpunim me Bashkinë e Lushnjës. Ky bashkëpunim synon të forcojë marrëdhëniet ndërmjet komunitetit rom dhe qytetarëve vendas, duke theksuar rëndësinë e diversitetit kulturor.
Në këtë ngjarje morën pjesë Kryetarja e Bashkisë Lushnjë, znj. Eriselda Sefa, dhe Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës “Amaro Drom”, z. Ferit Milanj. Ata përshëndetën pjesëmarrësit dhe nënvizuan vlerat që sjell integrimi dhe respekti i ndërsjellë.
Në fjalën e saj, kryebashkiakja Sefa theksoi angazhimin e bashkisë për të mbështetur komunitetet vulnerabël, duke krijuar hapësira të reja për zhvillim dhe përfshirje shoqërore. Sipas saj, promovimi i kulturës rome është një mënyrë e drejtpërdrejtë për të rritur tolerancën dhe bashkëjetesën.
Nga ana tjetër, z. Milanj u shpreh se ky panair nuk është vetëm një ngjarje kulturore, por një thirrje për solidaritet. Ai kujtoi se komuniteti rom ende përballet me vështirësi të shumta sociale dhe ekonomike, ndaj mbështetja institucionale mbetet e domosdoshme.
Atmosfera festive e panairit u shoqërua me performanca muzikore dhe vallëzime tradicionale, të cilat e bënë aktivitetin edhe më tërheqës. Të rinjtë romë u përfshinë aktivisht, duke treguar talentin dhe pasionin e tyre për artin.
Qytetarët që vizituan panairin shprehën vlerësim për mundësinë që ofrohet për të njohur më nga afër kulturën rome. Ata e cilësuan këtë iniciativë si një urë lidhëse për një bashkëjetesë më të shëndetshme.
Ky aktivitet pritet të pasohet nga iniciativa të tjera të ngjashme, të cilat synojnë të forcojnë ndjesinë e komunitetit dhe të ndihmojnë në eliminimin e paragjykimeve që rëndojnë mbi romët në jetën e përditshme.