Kjo e shtunë solli për të tretin vit radhazi festën tradicionale të ullirit në qendrën administrative Perondi të Kuçovës.
Aktiviteti u zhvillua pranë shkollës së fshatit, ku u mblodhën qytetarë, fermerë, nxënës, mësues, biznese dhe drejtues institucionesh lokale, për të kremtuar një nga simbolet më të çmuara të zonës, ullirin dhe prodhimet e tij.
Stendat e panairit ishin të mbushura me produkte artizanale, ushqime tradicionale, vaj ulliri të prodhuar nga fermerët e zonës, si dhe punime të nxënësve të shkollave, që sollën edhe fotografi e vizatime me tematikën e ullirit. Panairi u organizua nga Drejtoria e Kulturës në Bashkinë Kuçovë, nën kujdesin e veçantë të kryebashkiakut Kreshnik Hajdari.
Atmosfera u gjallërua nga këngë dhe valle popullore, me pjesëmarrjen e grupeve artistike dhe të rinjve të shkollave të mesme, të veshur me kostume tradicionale të zonës. Risia e këtij edicioni ishin stendat me gatime tradicionale dhe këndi etnografik që tregonte historinë e pasur të kulturës lokale.
Në një prononcim për TV Apollon, kryebashkiaku Hajdari theksoi rëndësinë që ka kjo festë për promovimin e trashëgimisë bujqësore, kulturore dhe turistike të Kuçovës. “Ulliri është pjesë e identitetit tonë dhe kjo festë bashkon komunitetin, nga fermerët, nxënësit, artizanët, deri te bizneset vendase. Tradita nuk duhet vetëm ruajtur, por edhe përcjellë brez pas brezi,” – u shpreh ai.
Festa e Ullirit në Perondi tashmë është kthyer në një ngjarje të rëndësishme për zonën, duke forcuar ndjenjën e përkatësisë dhe vlerësimin për pasuritë lokale.
Gazetar: Ndriçim Gjoshi


