Pamjet e kamerave zbulojnë lëvizjet para krimit në Ulëz

Dëshmitë kontradiktore për vrasjen e Renis Dobrës, autorët e dyshuar shfaqen bashkë në kamera pak orë para ngjarjes

Një ditë pas arrestimit të Petrit Çakrrit dhe Fatjon Bushgjokajt për vrasjen e Renis Dobrës, dalin në dritë detaje të reja që sfidojnë versionet e dhëna nga vetë të dyshuarit. Pamjet e kamerave të sigurisë të sekuestruara nga policia hedhin dyshime mbi dëshmitë e tyre, pasi i tregojnë bashkë përpara se të ndodhte krimi.

Në një video të marrë nga një pikë karburanti pranë aksit kombëtar Burrel-Tiranë, Çakrri dhe tre vëllezërit Bushgjokaj janë filmuar duke pirë kafe së bashku. Më pas, të dyshuarit janë larguar me dy automjete, një “Range Rover” dhe një “Hyundai Santa Fe”, duke u drejtuar drejt fshatit Zenisht.

Këto pamje, sipas hetuesve, vërtetojnë njohjen mes tyre, ndonëse Fatjon Bushgjokaj ka mohuar çdo lidhje me Petrit Çakrrin. Ndërkohë, ky i fundit ka pranuar se ka pasur marrëdhënie të mëparshme me një nga vëllezërit, pasi kishin qëndruar së bashku në burg.

Bushgjokaj ka pretenduar se kishte lëvizur në disa fshatra të Klosit dhe Burrelit për të kryer vjedhje, por ky version bie ndesh me itinerarin e fiksuar nga kamerat, duke forcuar dyshimet për përfshirjen në krimin e rëndë.

Petrit Çakrri, i cili është 55 vjeç, ka mohuar përfshirjen në vrasjen e Dobrës, por provat filmike dhe dëshmitë kontradiktore po i rëndojnë pozitën ligjore. Tashmë, policia ka shoqëruar katër persona të tjerë që mund të kenë dijeni për ngjarjen.

Ndërkohë, dy vëllezërit e tjerë të familjes Bushgjokaj, Kristi dhe Aleksandër, janë shpallur në kërkim dhe vijon operacioni për kapjen e tyre. Autoritetet e rendit nuk kanë dhënë afate kohore për ndalimin e tyre, por hetimet kanë hyrë në një fazë intensive.

Policia e Dibrës deklaroi në një dalje për mediat se viktima ishte pjesë e një rrjeti kriminal në Gjermani, i përfshirë në shpërndarjen e lëndëve narkotike. Dyshohet se pazaret e prishura të drogës çuan në ekzekutimin e tij.

Ndaj Postimin: