PAMJE TË RËNDA/ Momenti kur autobusi i “Green Line” merr përpara vajzën që lëvizte me biçikletë

Pamje të reja nga aksidenti i ndodhur mbrëmjen e së dielës në Tiranë tregojnë momentin kur një autobus i kompanisë “Green Line” përplasi vajzën 18-vjeçare që po lëvizte me biçikletë.

Ngjarja u regjistrua pranë zonës së “Pallatit me Shigjeta”, ku vajza dyshohet se i ka prerë rrugën autobusit të linjës Astir–Qendër.

Në video shihet qartë momenti kur autobusi merr përpara të renë, e cila më pas bie në tokë. Përpjekja e shoferit për të shmangur përplasjen ka bërë që ai të humbasë kontrollin e mjetit, duke u përplasur fillimisht me një pemë dhe më pas me dy automjete të parkuara, një prej të cilave është shtyrë deri në trotuar.

E reja është dërguar me urgjencë në spital, ku mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, drejtuesi i autobusit, shtetasi Çlirim Shala, 56 vjeç, është shoqëruar dhe më pas arrestuar nga policia, nën akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor. Policia po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.

Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe Policia e Tiranës, e cila ka bërë me dije se, përpos të resë, në spital janë dërguar edhe tre shtetas që ndodheshin në autobus, të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve.

“Arrestuan shtetasin Ç. Sh., 56 vjeç, pasi dyshohet se mbrëmjen e djeshme, në Rrugën e Kavajës, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e autobusit që drejtonte dhe është përplasur me një biçikletë ku lëvizte shtetasja G. K., 18 vjeçe, e më pas me dy automjete të parkuara. Si pasojë, është dëmtuar 18-vjeçarja dhe 3 shtetas që ndodheshin në autobus, të cilët janë në spital nën kujdesin e mjekëve”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Ndaj Postimin: