Pamela Anderson: Nuk dua lidhje të re, jam mirë vetëm

Pamela Anderson ka deklaruar se nuk ka ndërmend të nisë një lidhje të re dashurie. Aktorja 58-vjeçare, e njohur për jetën e saj sentimentale të trazuar dhe pesë martesa, u shpreh se flirtet e rastësishme i mjaftojnë dhe se nuk ndien nevojën për një partner në këtë fazë të jetës.

Në një intervistë për “Another Magazine”, ajo tha: “Dua vetëm ta liroj dragoin. Nuk kam nevojë që askush të më pengojë. Dua ta nxjerr jashtë. Kjo ndodh në periudha të ndryshme në jetën e secilit, dhe ky është momenti im.”

Duke cituar një thënie që ia atribuon Osso-s, Anderson shtoi: “Aftësia për të qenë vetëm është aftësia për të dashur. Këtu jam tani.”

Aktorja theksoi se nuk është në kërkim të një marrëdhënieje serioze, por nuk përjashton flirtin. “Herë pas here do të ketë ndonjë flirt ose dikush që dëshiron të dalë për darkë apo të flasë për të ardhmen, dhe kjo është emocionuese. Është si të thuash: ‘Në rregull, jam e mbuluar për një vit të tërë, faleminderit.’”

Anderson është martuar pesë herë, me Tommy Lee, Kid Rock, Dan Hayhurst dhe dy herë me Rick Salomon.

Gjatë intervistës, ajo foli edhe për periudhën e saj në serialin “Baywatch” dhe bashkëpunimin me revistën “Playboy”, duke rrëfyer se në atë kohë është ndier e nënvlerësuar dhe e shfrytëzuar.

“Nuk jam e pafajshme. Isha bashkëpunëtore, sepse në fillim të karrierës sime dhe në jetën time personale ndodhte një lloj shfrytëzimi dhe unë thjesht pranova rolin që më ishte dhënë. Thosha: ‘Kjo jam unë’. Njerëzit rreth meje më nënvlerësonin,” u shpreh ajo.

Aktorja shtoi se iu deshën vite për të ndryshuar perceptimin për veten. “Sot e di që nuk e meritoja atë trajtim. Por atëherë thjesht po përpiqesha të mbijetoja, të mbaja dritat ndezur. U divorcova dhe nuk mora asnjë kompensim. Nuk u mbështeta te askush,” përfundoi Anderson.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033