“Pagoi 2700 euro për një natë në Dubai”, Blendi Gonxhe reagon pas lajmeve në media: Të pavërteta! Ishte pagesa për 5 persona dhe qëndruam tre netë

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka reaguar në lidhje me publikimin e disa lajmeve në portale që ai ka paguar 2700 euro për të kaluar një natë në një hotel në Dubai.

Në një reagim në faqet e tij në rrjetet sociale, Gonxhja shkruan se këto lajmë janë tërësisht të pavërteta.

Ministri sqaron se vizita e tij në Dubai ishte për të zhvilluar takime pune, dhe se gjatë asaj kohe ka qenë i shoqëruar nga 4 zyrtarë të tjerë të dikasterit që ai drejton dhe kanë qëndruar tre netë në hotelin në fjalë.

Sipas ministrit është për një delegacion prej 5 vetash, dhe për 3 netë, duke e bërë koston për person të jetë 180 Euro/nata.

“Të jesh kritik ndaj qeverisë e kuptoj, por të shpifësh kaq ulët, duke 15 fishuar një pagesë dhome, është e pajustifikueshme, e gabuar dhe nuk i shërben aspak as interesit publik, as medias e as Shqipërisë”, thekson Gonxhe në postimin e tij.

Reagimi i plotë i Gonxhes:

Portale që e gdhijnë festave për hallet e popullit, më nxjerrin që paskam paguar 2,700 Euro për një natë në Dubai! Vlera në fjalë është paguar për një delegacion prej 5 vetash, dhe për 3 netë, duke e bërë koston për person të jetë 180 Euro/nata!

Publiku e di se tregu i hoteleve kudo në botë ka pësuar rritje çmimesh dhe ka natyrisht raste kur tarifat janë të larta, në varësi të datave, sezoneve, ngjarjeve e shpesh qëndrimi lidhet me evente që zhvillohen në po ato hotele e struktura dhe nëse nuk rezervon në to mund të pësosh kosto më të larta spostimesh e lëvizjesh me transport taksi apo të dedikuar, të humbësh kohë e të mos maksimizosh axhendën.

Por a duhet të abuzohet kështu me lajme të sajuara qëllimisht? A s’është turp të stisësh aludime të tilla? Si ministër përgjegjës për turizmin patjetër që do udhëtoj e marr pjesë në vizita në shumë shtete e aktivitete, është pjesë e pashmangshme e punës sime, sepse kërkojmë ndërlidhje, ura turizmi e ndërkombëtarizim, dhe jam krejt i hapur të informoj nëse një media interesohet, por pse kështu? Pse të gënjehet kaq trashë pa bërë asnjë verifikim pranë Kabinetit tim apo MTKS?

“Blendi Gonxhe paguan 2700 Euro për 1 natë në Dubai me lekët e shqiptarëve!!!”? JO! Portalet gënjejnë pacipërisht! Në fakt kam paguar 180 Euro për 1 natë!!! ???? (edhe më lirë madje sesa çmimi për atë hotel në ëebin e Booking: 161 + 43 taksa = 204 Euro/nata, e ilustruar në album)

Dhe po, jam takuar e pritur nga homologët, më saktë me Ministrin e Ekonomisë & Turizmit si dhe me Ministrin e Sportit (publikuar), përveç një axhende shumë të ngjeshur takimesh pune në Dubai dhe Yas Marina (Abu Dhabi), të Emirateve të Bashkuara Arabe! I ftuar në një prej panaireve më të rëndësishme mbi mikpritjen, “Future Hospitality Summit – Dubai, 2025”, ku Shqipëria u prezantua nga pavioni më i bukur ndonjëherë me projektet e zhvillimet më të spikatura të turizmit e të akomodimit dhe ku fola në një panel forumi mbi vendin tonë, si edhe ftova shumë kompani prestigjioze të njohin realitetin tonë dhe të konsiderojnë investimin në ekonominë shqiptare. (Gjithashtu fotot ilustruese në album)

Të jesh kritik ndaj qeverisë e kuptoj, por të shpifësh kaq ulët, duke 15 fishuar një pagesë dhome, është e pajustifikueshme, e gabuar dhe nuk i shërben aspak as interesit publik, as medias e as Shqipërisë

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033