Gjykata Kushtetuese nuk arriti të dalë me një vendim për ankimin e paraqitur nga Unioni i Gjyqtarëve lidhur me ndryshimet ligjore për pagat e magjistratëve. Pas shqyrtimit të çështjes, trupa gjykuese vendosi ta shtyjë vendimmarrjen me argumentin se i nevojitet më shumë kohë për vlerësim.
Ankimi lidhet me ndryshimet e miratuara në vitin 2023, sipas të cilave paga referuese bazë e gjyqtarëve dhe prokurorëve u përcaktua në masën 36% të pagës së Presidentit të Republikës, që aktualisht përkthehet në rreth 153 mijë lekë.
Më herët, referenca për llogaritjen e pagës ishte paga e drejtorit të departamentit në Kryeministri, e cila në atë periudhë ishte 132.100 lekë. Me ndryshimin ligjor, paga referuese u rrit me mbi 20 mijë lekë.
Megjithatë, gjyqtarët e konsiderojnë këtë ndryshim si një ulje relative të pagës së tyre, për shkak se paralelisht qeveria rriti pagat e administratës publike, duke çuar pagën e drejtorit të departamentit në 231 mijë lekë. Sipas tyre, nëse do të ruhej referenca e mëparshme, paga e magjistratëve do të rezultonte rreth 78 mijë lekë më e lartë.
Për këtë arsye, ata kërkojnë ose rikthimin te referenca e vjetër, ose përcaktimin e një përqindjeje më të lartë, konkretisht 54.3% të pagës së Presidentit, me pasqyrim automatik të çdo rritjeje të ardhshme.
Sipas formulës aktuale të llogaritjes së pagave, një ndryshim i tillë do të sillte rritje të ndjeshme: nga rreth 1800 euro për gjyqtarët e shkallës së parë, deri në mbi 3000 euro për magjistratët e Apelit të GJKKO dhe SPAK.
Vendimi i Kushtetueses pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në buxhetin e shtetit dhe në balancën mes pushtetit gjyqësor dhe ekzekutivit.