Pa ndëshkim dhe me mbrojtje politike: Hipokrat Biba, njeriu që ka kthyer Postën Shqiptare në gropë vjedhjeje

Hipokrat Biba ka firmosur qindra tenderë me vlera të fryra, duke e kthyer Postën Shqiptare në një skemë të hapur vjedhjeje të fondeve publike, të mbrojtur nga politika dhe drejtuesit e radhës.

Prej vitit 2020, “Posta Shqiptare” është shndërruar në shembullin më brutal të administratës së kapur. Me auditime të brendshme që flasin hapur për manipulim, abuzim dhe mashtrim financiar, institucioni publik që duhet të shërbejë qytetarët është kthyer në një makineri zhvatjeje. Në qendër të kësaj strukture qëndron Hipokrat Biba, drejtori juridik, njeriu i cili ka firmosur çdo tender të dyshimtë dhe çdo kontratë të sajuar, duke i shkaktuar dëme mbi 31 milionë euro buxhetit të shtetit.

Biba nuk ishte thjesht zyrtar. Ai u kthye në garantin e interesave të drejtuesve politikë. Në katër vite, ai ka nënshkruar 243 tenderë dhe 72 kontrata, prej të cilave 213 janë identifikuar me shkelje të qarta ligjore. Në 133 raste, Agjencia e Prokurimeve Publike është detyruar të ndërhyjë për anulim, pasi fondet limit janë fryrë përtej buxheteve zyrtare. Pjesa tjetër është zhvilluar duke manipuluar specifikime teknike, duke futur kompani të parapërcaktuara dhe duke fabrikuar dokumente për shërbime që nuk janë kryer kurrë.

Edhe kur drejtorët e Postës u ndërruan, Laert Duraj, Ervin Bushati, Ardit Demiri, Hipokrat Biba mbeti në vend. Ai ishte njeriu që ruante dosjet, kontrollonte procedurat dhe mbyllte aferat. Në mars 2021, qeveria e emëroi edhe drejtor të përkohshëm, pikërisht për të mbyllur 44 tenderët me vlerë 14.6 milionë euro dhe për të pastruar gjurmët e abuzimeve të dy viteve të mëparshme. Pasi misioni përfundoi, drejtori politik u rikthye në post dhe Biba vazhdoi të garantonte interesat e të njëjtave grupe.

Një nga tenderët më skandalozë është ai i 9 shtatorit 2021, vetëm pak ditë para largimit të Bibës nga drejtimi i përkohshëm i Postës. Shërbimi absurd për “menaxhimin e radhëve të qytetarëve” në sportelet e Tiranës u faturua 145 milionë lekë. Auditorët e brendshëm e quajtën marrëveshjen “shembull të vjedhjes së pastër”, pasi nuk kishte as objekt shërbimi, as staf, as justifikim ekonomik – vetëm fatura të fabrikuara për tre vite shërbim që nuk u ofrua asnjëherë.

Pas vitit 2021, skema nuk ndryshoi. Drejtuesit ndërroheshin, por Hipokrat Biba qëndronte. Ai ishte ura midis njerëzve të komanduar nga politika dhe kompanive që fitonin tenderët. Ai njihte strukturën e ndarjes së parave, rrjetin e klientëve dhe mënyrën e pastrimit të fondeve përmes kontratave të ankandeve dhe marrëveshjeve të jashtme. Për këtë arsye nuk është prekur asnjëherë, nuk është shkarkuar, nuk është hetuar dhe asnjë kallëzim nuk është dërguar në SPAK.

Kjo situatë tregon saktësisht se si funksionon shteti i kapur. Institucionet publike nuk administrohen për t’u shërbyer qytetarëve, por për të ushqyer një grusht njerëzish që trajtojnë buxhetin e shtetit si pronë private. “Posta Shqiptare” nuk shpërndan më shërbime, shpërndan tenderë për klientët e pushtetit.

Dhe në krye të kësaj piramide qëndron Hipokrat Biba: jo drejtor, jo jurist, por postier i vjedhjes, që çdo ditë nuk dërgon zarfe, por kontrata të paracaktuara dhe miliarda të zhdukura nga arka e qytetarëve.

Ndaj Postimin: