Nën masa të rrepta sigurie, Bojo Resort në Orikum të Vlorës priti mbrëmjen e djeshme vajzën e presidentit amerikan, Ivanka Trump, e shoqëruar nga një grup i madh arkitektësh dhe nga kryeministri Edi Rama, i cili shtroi për ta një darkë ekskluzive.
I gjithë stafi i resortit ishte në gatishmëri të plotë, ndërsa përgatitjet për këtë darkë “very VIP” kishin nisur që herët gjatë ditës. Menuja ishte konsultuar paraprakisht edhe me protokollin shtetëror, duke u kujdesur për çdo detaj, nga përzgjedhja e produkteve deri te mënyra e servirjes.
Si mesore në tryezë u shërbyen ostriche, një produkt jo i zakonshëm për shumicën e restoranteve, por që këtë herë u shijua nga të gjithë të ftuarit. Më pas erdhi pjata e parë e sallatës gourmet, e përbërë nga domate të vogla shumëngjyrëshe, djathë i zonës dhe salca të përzgjedhura me kujdes.
Në vijim, radha i erdhi crudove, ku në pjata të personalizuara u servirën karkalecë violë dhe scampi, duke i dhënë tryezës një notë të qartë mesdhetare dhe luksi.
Menuja vazhdoi me oktapod të servirur në friturë, të shoqëruar me kërpudha të skuqura dhe asparagus. Në qendër të tryezës u vendosën gjithashtu perime të ziera si brokoli, lulelakër dhe patate, ndërsa secili prej të ftuarve kishte edhe pjatën e tij të personalizuar me makarona me fruta deti. Si shoqërues nuk munguan as qoftet krokante të djathit, të vendosura në mes të tryezave.
Pjata finale e darkës ishte peshku i egër Kerr, për t’u pasuar më pas nga një ëmbëlsirë me çokollatë, që mbylli në mënyrë elegante këtë menu të kuruar deri në detaje.
Në përfundim të darkës, pronari i resortit, familjarët e tij dhe stafi që shërbeu gjatë mbrëmjes realizuan edhe një fotografi me Ivanka Trump, e cila i falënderoi për mikpritjen dhe për ushqimin e freskët dhe të përgatitur me shumë kujdes që iu servir gjatë gjithë darkës.