Ngjarja e rëndë e regjistruar sot në Orikum vijon të hetohet, ndërsa dalin detaje të reja mbi marrëdhënien mes çiftit bashkëshortor që humbi jetën.
Sipas informacioneve paraprake, bashkëshortët kishin rreth dy muaj që ishin ndarë, por formalisht rezultonin ende të martuar, pasi procedurat e divorcit nuk ishin përfunduar. Ata vijonin të jetonin në të njëjtën banesë, ndërsa gruaja kishte kërkuar ndarjen ligjore.
Burime bëjnë me dije se viktima ishte kthyer nga Italia për festat e fundvitit. Dyshohet se pas një konflikti, bashkëshorti ka ushtruar dhunë ndaj saj, duke i shkaktuar humbjen e jetës. Sipas të dhënave paraprake, ai më pas është kthyer në banesë dhe ka kryer vetëvrasje.
Çifti ishin prindër të dy fëmijëve. Familjarët kanë deklaruar se mes tyre kishte pasur probleme kohët e fundit, por nuk kishte pasur denoncime apo ndërhyrje policore të mëparshme.
Policia dhe Prokuroria po vijojnë hetimet për të sqaruar motivet dhe rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje të rëndë.