Orë dramatike në Kanionet e Osumit: Operacioni për Ilir Kurtin dështon, zhytësi amator mbetet i bllokuar prej 5 orësh te “Porta e Djallit”

Operacioni për gjetjen e Ilir Kurtit në Kanionet e Osumit rrezikon të shndërrohet në një tragjedi të dytë. Ekipi i specializuar i RENEAS, i nisur nga Tirana për të kërkuar trupin e 42-vjeçarit që u vetëflijua duke u hedhur në kanion, nuk ka arritur rezultat në kërkime.

Situata u përkeqësua kur drejtuesit e operacionit kërkuan ndihmën e një grupi sportistësh amatorë të rafting. Murat Mamurrani, i njohur në zonë si drejtues i një grupi të pacertifikuar, iu bashkua kërkimeve me miratimin e strukturave drejtuese, duke anashkaluar protokollet e sigurisë.

Për shkak të rrjedhës së fortë të ujit dhe prurjeve të shtuara nga reshjet, gomonia e drejtuar prej tij u përmbys në kanion, duke bërë që i gjithë grupi të binte në ujë. Si pasojë, një prej anëtarëve, Xhuliano Kaloti, u mor nga rrjedha dhe mbeti i bllokuar në një guvë të brendshme në zonën e njohur si “Porta e Djallit”.

Ai ka ngecur aty prej orës 15:00 dhe askush nuk ka mundur t’i shkojë në ndihmë. Edhe ekipi i specializuar i RENEAS nga Tirana nuk ka arritur ta nxjerrë nga thellësia e kanionit, ndonëse dëgjohen qartë thirrjet e tij për ndihmë.

Niveli i ujit në vendin ku ndodhet Kaloti arrin 5–6 metra, duke krijuar rrezik të madh. Fatmirësisht, ai është në gjendje të mirë shëndetësore dhe herë pas here thërret për ndihmë, por ndërhyrja ende mungon. Hezitimi i polumbarëve të Forcave Speciale, pavarësisht mjeteve që kanë në dispozicion, ka shtuar shqetësimin, ndërsa niveli i ujit vazhdon të rritet.

Kanë kaluar tashmë 5 orë që Xhuliano Kaloti mbetet i bllokuar në thellësinë e “Portës së Djallit”. Ankthi shtohet me afrimin e natës, ndërsa familjarët dhe banorët e Skraparit presin një vendim të guximshëm dhe profesional për ta shpëtuar, pasi agimi i nesërm mund të rezultojë fatal.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033