Posta Shqiptare shpesh promovon në rrjetet sociale shërbimet dhe efikasitetin e saj, por në realitet qytetarët në rrethe, konkretisht në Lushnje, hasin në vështirësi dhe mungesë të një shërbimi të denjë, sidomos për shtresat më të ndjeshme si pensionistët.
Në zyrën postare të qytetit, shumë qytetarë dhe të moshuar ndihen të neglizhuar, ku mungon ndihma, korrektësia dhe shërbimi njerëzor. Pensionistët, të cilët janë ndër përdoruesit kryesorë të këtij shërbimi, shpesh përballen me vonesa, mosinformim dhe mungesë kujdesi.
Drejtuesit vendorë të Postës Shqiptare në Lushnje nuk duhet të jenë thjesht pas kolltukëve dhe reklamave, por të kenë këmbët në terren, pranë problematikave reale që qytetarët hasin çdo ditë. Mospërfshirja aktive në menaxhimin e shqetësimeve është tregues i një administrimi të dobët që nuk i shërben komunitetit.
Një tjetër shqetësim vjen nga zona e Dushkut, ku dy punonjës të postës, tashmë në moshë pensioni, vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë. Kjo situatë ngre pikëpyetje mbi efektivitetin dhe përditësimin e burimeve njerëzore. Si është e mundur që një institucion që i shërben publikut nuk respekton moshën e daljes në pension të vetë punonjësve të tij? Dhe si mund të jetë e efektshme puna, kur ata që e kryejnë janë vetë në nevojë për pushim e kujdes?
Kjo është një kambanë alarmi për drejtuesit qendrorë të Postës Shqiptare dhe institucionet përkatëse, të cilat duhet të tregojnë më shumë seriozitet dhe përgjegjshmëri në emër të taksapaguesve shqiptarë që financojnë këtë institucion. Shërbimi postar duhet të jetë shërbim për qytetarët, jo monopol i rehatisë personale!
Gazetar: Ndriçim Gjoshi