Shkruar nga Ndriçim Gjoshi
Kohët e fundit, nëpër institucionet tona po krijohet një model drejtuesi që i ngjan më shumë një protagonisti të ekranit sesa një administratori publik.
Me flokë të stiluar, parfume të shtrenjta dhe kostume të rregullta, këta drejtorë shfaqen më shumë në kafe sesa në takime pune. Zyrat janë kthyer në studio për selfie, ndërsa qytetari, që pret një zgjidhje, përballet me dyer të mbyllura dhe me sjellje arrogante.
Në vend që të jenë të thjeshtë, të përulur dhe të përkushtuar, shumë prej këtyre drejtuesve mbështeten te politika, jo te meritokracia. Janë bërë ekspertë të buzëqeshjeve false dhe tallavasë në ceremoni boshe, ku fjalët zbukurojnë dështimet. Kur nuk kanë ide, gjejnë fajtorë; kur nuk kanë vizion, japin justifikime.
Një pjesë e tyre kanë hyrë në administratë pa një CV të pastër profesionale, me diploma që kanë dalë nga shkolla në periferi të njohurive dhe me eksperiencë që nuk i shërben askujt, përveç vetes. Jetojnë me iluzionin e pushtetit, por janë të shkëputur totalisht nga realiteti i qytetarit të thjeshtë.
Në të njëjtën kohë, qytetari sheh si rriten luksi, makinat dhe “standardi” i jetës së drejtuesve, ndërsa shërbimet mbeten po ato: të vonuara, të padrejta dhe të pakujdesshme. Në vend që të shërbejnë, ata sundojnë. Në vend që të dëgjojnë, urdhërojnë. Dhe në fund, shfaqen si heronj në evente propagandistike që i kushtojnë buxhetit publik dhe durimit qytetar.
Por qytetari nuk është budalla. Ai e di kush punon dhe kush bën sikur. Ai e di kush pasurohet nga karrigia dhe kush lodhet përditë në heshtje.
Ndaj, është koha të ndalet ky teatër. Nuk ka më vend për drejtues që kanë më shumë “like” se ide, më shumë orë kafeje se orë pune.
Qytetari kërkon dinjitet, drejtësi dhe shërbim. Jo drejtues me “prostatë”, që s’u ndahet “çiçja” nga zyrat.
Koha e llafeve mbaroi. Duhet punë, ndershmëri dhe përulësi përballë atij që të paguan me taksën e tij: qytetarit.