Operacioni “Zona”: Goditet grupi i narkotikëve në Divjakë, 3 arrestime dhe sekuestrohen lëndë narkotike dhe armatim

Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka finalizuar operacionin policor të koduar “Zona”, pas një hetimi gjashtëmujor, për goditjen e një grupi kriminal të përfshirë në shitjen e kokainës në Divjakë.

Gjatë operacionit janë identifikuar dhe arrestuar 3 shtetas, mes të cilëve 2 vëllezër, A.P. dhe M.P., të cilët ishin bashkorganizatorë të grupit, si dhe një tjetër anëtar i tij, O.L. Po ashtu, janë shoqëruar 10 shtetas të tjerë, të dyshuar për pjesëmarrje në aktivitetin kriminal, raporton gazetarja Mukades Dervishi.

Gjatë aksionit, policia ka sekuestruar dhjetëra doza kokainë, armë gjahu, armë sportive, një armë të ftohtë, municion luftarak, 2 peshore elektronike dhe një shumë parash në euro dhe lekë, të cilat dyshohet se janë fituar nga shitja e drogës.

Operacioni është realizuar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, dhe është bazuar në hetime intensive të zhvilluara me metoda speciale për rreth 6 muaj. Hetimet vijojnë për të zbardhur të gjithë anëtarët e grupit dhe për të individualizuar përgjegjësitë penale.

Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprime të mëtejshme.

Ndaj Postimin: