Operacioni “Turriga” çon në pranga 5 shqiptarë për trafik ndërkombëtar droge në Spanjë

Policia spanjolle sekuestron mbi 300 bimë marijuane dhe arreston shqiptarët që eksportonin drogë drejt Mbretërisë së Bashkuar

Policia Kombëtare e Spanjës ka zhvilluar një operacion të suksesshëm antidrogë në rajonin Calatayud, duke shkatërruar dy plantacione të mbyllura marijuane dhe arrestuar pesë shtetas shqiptarë, të dyshuar si pjesë e një rrjeti kriminal ndërkombëtar.

Kontrollet u kryen në orët e para të së martës në dy shtëpi në komunën Torrijo de la Cañada të Zaragozës. Gjatë aksionit, forcat e rendit zbuluan më shumë se 300 bimë në faza të ndryshme rritjeje dhe mbi 20 kilogramë sytha marijuane të gatshme për shpërndarje, krahas pajisjeve profesionale për kultivim.

Sipas Policisë Kombëtare dhe Prokurorisë së Aragonit, rrjeti kriminal merrej me prodhimin dhe eksportin e drogës, kryesisht drejt Mbretërisë së Bashkuar, ku çmimi i saj shumëfishohej në tregun e zi. Hetimet nisën që në mars të këtij viti, pas sinjalizimeve për lëvizje të dyshimta dhe blerje të pajisjeve specifike nga shtetas shqiptarë.

Secili nga të arrestuarit kishte një funksion të qartë: dy shërbenin si roje të plantacioneve, një ishte pronar i shtëpive të përshtatura në sera, ndërsa dy të tjerë kishin ardhur nga Britania për të kontrolluar cilësinë e drogës përpara eksportit.

Operacioni, me emrin kod “Turriga”, u drejtua nga Gjykata e Parë Hetuese në Calatayud. Policia organizoi ndërhyrjen pasi kishte mbledhur prova të mjaftueshme dhe kishte verifikuar se të gjithë të dyshuarit ndodheshin në territorin spanjoll. Në aksion morën pjesë edhe njësi speciale si GOES dhe njësi të qenve antidrogë.

Gjykata urdhëroi ndalimin me burg pa të drejtë lirimi për pesë të arrestuarit, të cilët akuzohen për pjesëmarrje në grup kriminal, shkelje të sigurisë publike dhe mashtrim me energjinë elektrike. Mashtrimi me rrjetin elektrik përllogaritet të ketë shkaktuar një dëm mbi 40 mijë euro.

Shtëpitë e përdorura si sera ishin pajisur me ndriçim dhe ventilim të sofistikuar, duke krijuar rrezik të madh për banorët përreth për shkak të mbingarkesës elektrike dhe mundësisë së zjarrit. Policia paralajmëron se hetimet vijojnë dhe nuk përjashtohen arrestime të tjera në ditët në vijim.

Ndaj Postimin: