Operacioni policor kundër fishekzjarreve pa leje, shtatë të arrestuar në Tiranë në prag të festave

Policia e Tiranës ka çuar në shtatë numrin e personave të arrestuar për tregtim të kundërligjshëm të lëndëve piroteknike, në kuadër të planit të posaçëm operacional të koduar “Fireworks”, i cili po zbatohet në prag të festave të fundvitit.

Gjatë kësaj të premteje, janë vënë në pranga tre pronarë subjektesh tregtare, të cilët ushtronin aktivitetin e shitjes së fishekzjarreve dhe kapsollave pa autorizimin përkatës. Kontrollet e policisë zbuluan se në tre markete, përkatësisht në Kombinat, Kamzë dhe në Krujë, mbaheshin në mënyrë të paligjshme sasi të konsiderueshme lëndësh piroteknike, të destinuara për tregtim.

Si rezultat i veprimeve policore, u arrestuan shtetasit K. K., A. B. dhe F. Sh., pasi në ambientet e bizneseve të tyre, në Rrugën e Qelqit në Kombinat, në bulevardin “Nënë Tereza” në Kamzë dhe në fshatin Hasan në Krujë, u gjetën dhe u sekuestruan kuti me fishekzjarrë dhe kapsolla.

Gjatë kontrolleve, policia konstatoi gjithashtu një automjet në rrugën “Aleksandër Moisiu”, brenda të cilit u gjet një sasi e madhe fishekzjarresh. Për këtë rast u procedua penalisht drejtuesi i automjetit, shtetasi E. B., 21 vjeç, ndërsa u shpall në kërkim shtetasi E. P., 20 vjeç, i cili dyshohet se kishte porositur lëndët piroteknike. Policia vijon punën për kapjen e tij dhe dokumentimin e plotë të rastit.

Sipas Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, që prej nisjes së operacionit “Fireworks” janë goditur gjithsej shtatë raste të tregtimit të paligjshëm të lëndëve piroteknike, ndërsa kontrollet intensive në terren do të vijojnë edhe në ditët në vijim.

Materialet procedurale për të gjitha rastet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore. Policia u bën thirrje qytetarëve që të mos përdorin dhe të mos tregtojnë fishekzjarrë dhe lëndë piroteknike në kundërshtim me ligjin, duke theksuar se kjo veprimtari përbën rrezik serioz për jetën dhe shëndetin dhe ndëshkohet sipas legjislacionit në fuqi.

Ndaj Postimin: