Policia e Fierit finalizon operacionin “Four”, zbardhen 4 vjedhje brenda një nate dhe arrestohet 28-vjeçari me precedent kriminal, hetimet vijojnë për ngjarje të tjera të mundshme
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier kanë ndërmarrë një aksion të shpejtë dhe të mirëorganizuar për goditjen e veprimtarisë kriminale të vjedhjes së pronës dhe pasurisë, pas denoncimeve të mbërritura nga qytetarët për vjedhje të ndodhura gjatë natës në subjekte tregtare, raporton gazetari Ndriçim Gjoshi. Në fokus të operacionit policor të koduar “Four”, ishte zbardhja e katër vjedhjeve të kryera brenda një nate në qytetin e Fierit.
Pas një pune të detajuar hetimore dhe analizës së pamjeve të kamerave të sigurisë, policia ka mundur të identifikojë, lokalizojë dhe vërë në pranga autorin e dyshuar, shtetasin Y. D., 28 vjeç, banues në Radostinë. Ky shtetas është i njohur për precedentë të mëparshëm penalë në fushën e vjedhjes si dhe ka qenë i dënuar për veprimtari të paligjshme në fushën e narkotikëve.
Sipas të dhënave të mbledhura nga grupi hetimor, më datë 19 maj 2025, Y. D. dyshohet se ka kryer me thyerje vjedhjen e katër subjekteve tregtare, ku ka marrë shuma të konsiderueshme parash dhe dy telefona celularë. Operacioni “Four” është vlerësuar si një sukses i rëndësishëm në parandalimin dhe goditjen e këtij fenomeni negativ në Fier.
Autoritetet policore nënvizojnë se hetimet po vazhdojnë për të zbardhur ngjarje të tjera të mundshme, që mund të jenë kryer nga i arrestuari, duke theksuar angazhimin maksimal për garantimin e rendit dhe sigurisë së qytetarëve.
Materialet procedurale për këtë rast i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, me qëllim vijimin e mëtejshëm të procedurave ligjore. Organi i Policisë fton qytetarët të raportojnë çdo rast të ngjashëm, duke garantuar se çdo denoncim do të trajtohet me përkushtim dhe seriozitet maksimal.