Operacioni për vrasjen e Khameneit, mediat zbardhin rolin e CIA-s dhe sulmin ajror izraelit

Mediat amerikane kanë publikuar detaje mbi operacionin që çoi në vrasjen e udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Khamenei, duke përshkruar një bashkëpunim mes shërbimeve amerikane të inteligjencës dhe forcave izraelite.

Sipas raportimeve të New York Times dhe Wall Street Journal, informacionet për vendndodhjen e Khameneit janë siguruar nga CIA pas një ndjekjeje disamujore. Ai ndodhej në kompleksin Beit E Rahbari në Teheran, një strukturë me rëndësi strategjike, ku po zhvillohej një mbledhje me drejtues të lartë të aparatit ushtarak dhe të sigurisë.

Të dhënat e mbledhura nga pala amerikane iu përcollën Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, të cilat ndërmorën sulmin ajror. Avionët luftarakë izraelitë u ngritën rreth orës 6:00 të mëngjesit nga një bazë ushtarake, ndërsa dy orë më vonë nisën goditjet ndaj kompleksit. Sipas raportimeve, të paktën 30 predha goditën objektin.

Në momentin e sulmit, disa zyrtarë të lartë ndodheshin në ndërtesë, ndërsa Khamenei ishte në një krah nëntokësor të kompleksit. Bombardimi shkaktoi dëme të konsiderueshme në strukturë, të konfirmuara edhe nga imazhe satelitore të publikuara më pas.

Fillimisht, autoritetet iraniane deklaruan se Khamenei ishte i sigurt dhe premtuan një fjalim të tij për kombin. Më vonë u konfirmua se ai kishte humbur jetën, së bashku me disa funksionarë të lartë.

Raportimet theksojnë se operacioni është pjesë e një serie goditjesh të mëparshme ndaj figurave kyçe të boshtit shiit, përfshirë eliminime të drejtuesve ushtarakë dhe zyrtarëve të sigurisë në rajon. Sipas analizave të publikuara, suksesi i operacionit lidhet me depërtimin në rrjetet e sigurisë, përdorimin e teknologjisë së avancuar dhe bashkëpunimin mes agjencive partnere.

Detaje të tjera mbi operacionin pritet të bëhen publike në vijim, ndërsa tensionet në rajon mbeten të larta.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033