Operacioni policor “Organizatori” ka sjellë në pranga tre persona, të akuzuar për falsifikim dokumentash dhe trafik armësh drejt Maqedonisë së Veriut.
Hetimet kanë zbuluar detaje të reja për mënyrën e funksionimit të këtij grupi kriminal, i cili prodhonte dokumente të falsifikuara dhe kryente aktivitete të paligjshme me armë.
Sipas informacionit të policisë, operacioni u finalizua pas një hetimi 4-mujor, me metoda speciale, dhe u realizua nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Trafiqeve të Paligjshme në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit. Gjatë operacionit, u arrestuan Dhimitër Peqini, 59 vjeç, Elban Coniku, 52 vjeç dhe A. L., 47 vjeç, të cilët ishin pjesë e këtij grupi.
Hetimet kanë zbuluar se shtëpia e Dhimitër Peqinit, në Elbasan, ishte shndërruar në një laborator falsifikimi dokumentesh. Dokumentet e sekuestruara ishin shumë të ngjashme me ato reale, duke ngritur dyshime për mundësinë e bashkëpunimit me punonjës të Gjendjes Civile për prodhimin e dokumenteve identifikimi.
Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e A. L., u gjetën dhe u sekuestruan 20 dokumente të dyshuara të falsifikuara, si pasaporta, karta identiteti dhe leje qëndrimi nga Shqipëria, Bullgaria dhe Maqedonia. Policia ka zbuluar se Dhimitër Peqini dhe bashkëpunëtorët e tij ishin të përfshirë edhe në trafikimin e armëve.
Në një tjetër aksion, policia ka ndaluar dy automjete, që drejtoheshin nga Dhimitër Peqini dhe Elban Coniku, në fshatin Çekin, Gramsh. Gjatë kontrolleve, janë gjetur të fshehura tre armë zjarri kallashnikovë, 3320 fishekë dhe një granatë, të cilat do të trafikonin drejt Maqedonisë së Veriut.
Operacioni ka vijuar me hetime për të identifikuar dhe ndaluar shtetas të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Materialet janë dorëzuar pranë Prokurorisë për hetime të mëtejshme dhe për të sjellë para përgjegjësisë penale të gjithë personat që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.