Policia zbulon dy ambiente të përshtatura për kultivim të kanabisit me llamba në Bajzë, arreston një 22-vjeçar dhe vë nën hetim familjarë e punonjës të OSHEE-së; sekuestrohen bimë narkotike, pajisje elektrike dhe mallra të kontrabanduara.
Në Malësinë e Madhe është finalizuar operacioni policor i koduar “Neonët 2”, pas kontrolleve të kryera në zona të ndryshme të fshatit Bajzë, në kuadër të luftës kundër kultivimit të bimëve narkotike në ambientet e mbyllura me llamba.
Si rezultat i veprimeve hetimore, Policia konstatoi dy banesa të përshtatura posaçërisht për rritjen e kanabisit, ku përveç kultivimit ishte krijuar edhe sistem ajrimi dhe ngrohjeje artificiale. Në njërën prej godinave u zbulua dhe lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.
Në këtë operacion u arrestua 22-vjeçari D. B., u procedua penalisht nëna e tij F. B., ndërsa babai i tyre, S. B., 57 vjeç, u shpall në kërkim, pasi dyshohet të jenë të përfshirë së bashku në kultivimin dhe përpunimin e kanabisit me qëllim përfitimin financiar.
Gjatë kontrolleve në dy ambientet e përshtatura, policia sekuestroi gjithsej 287 bimë dhe fidanë të dyshuar narkotikë, rreth 515 gramë kanabis të tharë, një sasi municioni luftarak, një armë të ftohtë tip thikë, 49 llamba ndriçimi, 47 inverterë elektrikë, aspiratorë, filtra ajri, 2 automjete dhe 9 telefona celularë.
Po gjatë operacionit, në një lokal në pronësi të shtetasit S. B., u zbuluan 138 arka dhe shishe me pije alkoolike të dyshuara si të kontrabanduara, të cilat u sekuestruan si provë materiale në vijim të hetimeve.
Nga verifikimet e mëtejshme, Policia konstatoi se lidhja e paligjshme e energjisë ishte bërë me ndihmën e punonjësve të OSHEE-së. Për këtë arsye u arrestuan E. Ç., 27 vjeç dhe F. D., 57 vjeç, ndërsa u proceduan penalisht L. L., 52 vjeç dhe I. D., 53 vjeçe, për “Shpërdorim detyre” kryer në bashkëpunim.
Policia njofton se vijon puna për kapjen e shtetasit S. B., si dhe për dokumentimin e plotë të rrjetit të përfshirë në kultivim, magazinim dhe shitje të drogës.
Materialet hetimore janë referuar në Prokurorinë e Shkodrës për veprime të mëtejshme.


