Pas një hetimi disamujor, Seksioni i Hetimit të Krimeve Ekonomiko-Financiare në Fier në bashkëpunim me Prokurorinë ka finalizuar operacionin policor të koduar “Medicine”, duke goditur kontrabandën e ilaçeve në treg.
Në këtë operacion janë arrestuar katër administratorë farmacie dhe është proceduar penalisht një tjetër, të cilët dyshohen se tregtonin ilaçe të kontrabanduara në farmacitë që administronin. Në kontrollin e kryer në subjektet dhe banesat e tyre janë sekuestruar sasi ilaçesh pa pullën fiskale nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, me vlerë të përafërt rreth 800 mijë lekë.
Hetimet proaktive, të ndjekura për disa muaj me radhë, kanë rezultuar në arrestimin në flagrancë të shtetasve Shezai Yzeri, 65 vjeç, Anxhela Xhemaili., 59 vjeçe, Plece Bylyka., 36 vjeçe dhe Tereza Plaka, 35 vjeçe. Gjithashtu, prokuroria ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë ndaj shtetases T. A., 53 vjeçe.
Kontrollet e ndërmarra nga autoritetet kanë zbuluar tregtim të paligjshëm të ilaçeve pa dokumentacionin përkatës fiskal dhe licencën e nevojshme për qarkullim. Kjo situatë rrezikon shëndetin publik, pasi ilaçet e kontrabanduara nuk kanë garantuar cilësinë dhe sigurinë e duhur.
Materialet e mbledhura nga hetimet janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, që do të vijojë me veprimet ligjore përkatëse.
Ky operacion tregon vendosmërinë e institucioneve për të luftuar krimin ekonomik dhe për të mbrojtur tregun e barnave nga aktivitetet e paligjshme, duke siguruar që qytetarët të kenë akses vetëm në ilaçe të kontrolluara dhe të sigurta.