Operacioni masiv për izolimin e plotë të zjarrit në landfillin e Elbasanit pas 6 ditësh emergjencë mjedisore

Pas pesë ditësh përpjekjesh, flakët në landfillin e Elbasanit janë shuar dhe mbetjet po mbulohen me dhe për të shmangur rindezjen.

Pasditen e sotme ka nisur faza përfundimtare e ndërhyrjes në vatrën masive të zjarrit që kishte përfshirë për pesë ditë me radhë landfillin e Elbasanit. Tymi i dendur dhe reja toksike që përfshiu qytetin ditë më parë, tashmë i përket së kaluarës.

Automjete të rënda të ngarkuara me dhe janë parë duke u drejtuar njëra pas tjetrës drejt landfillit, për të realizuar kapsulimin e plotë të mbetjeve të djegura. Ky veprim konsiderohet masë jetike për të shmangur rindezjen dhe për të siguruar neutralizimin e rrezikut për banorët përreth, raporton gazetari Ndriçim Gjoshi.

Zjarri, që nisi në kushte ende të paqarta, krijoi ndotje të madhe në ajër dhe përkeqësoi ndjeshëm cilësinë e jetës në qytetin e Elbasanit. Për pesë ditë, tymi helmues përshkoi zonën urbane dhe periferike, duke ngritur shqetësime për ndikimin në shëndetin publik.

Autoritetet vendore dhe ekipet e emergjencës u angazhuan me mjete zjarrfikëse dhe ndihmë logjistike për të vënë nën kontroll flakët që kërcënonin të përhapeshin edhe më tej. Pavarësisht sfidave, ndërhyrja intensive ka bërë të mundur ndaljen e përhapjes.

Aktualisht, po vijon procesi i mbulimit me dhe të gjithë sipërfaqes së prekur, një procedurë që do të izolojë mbetjet dhe do të pengojë përhapjen e mëtejshme të gazrave toksikë. Ky hap është thelbësor për rikthimin gradual të normalitetit në qytet.

Banorët e Elbasanit presin tashmë sqarime të plota mbi shkaqet e shpërthimit të zjarrit dhe masat që do të merren për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen. Ndërkohë, ekspertët e mjedisit theksojnë nevojën për një menaxhim më të sigurt të mbetjeve urbane dhe industriale.

Ndaj Postimin: