Operacioni “Kultivimi” në Kuçovë, 1 i arrestuar dhe 4 të tjerë të proceduar

Komisariati i Policisë Kuçovë, në bashkëpunim me DVP Berat dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Berat, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Kultivimi”, i cili ka zbardhur një rast të kultivimit të bimëve narkotike. Pas një hetimi të thelluar disa vjeçar, u arrit të identifikoheshin dhe të procedoheshin autorët e dyshuar të këtij aktiviteti kriminal.

Në kuadër të operacionit, u arrestua shtetasi Sh. H., 28 vjeç, banues në fshatin Mendrak, Kuçovë, ndërsa u shpallën në kërkim dy shtetas të tjerë: B. Ll., 23 vjeç, banues në Lezhë, dhe E. M., 34 vjeç, banues në Tiranë. Të tre dyshohet se janë autorët e kultivimit të bimëve narkotike kanabis në vitin 2021 në fshatin Mendrak, Kuçovë. Bimët narkotike ishin zbuluar dhe asgjësuar nga Policia që në atë kohë.

Pas procedimit të këtyre individëve, në kuadër të operacionit “Kultivimi”, Policia ka kryer kontrolle të tjera në banesat e shtetasve të dyshuar, bazuar në urdhëra të lëshuar nga Gjykata Berat. Gjatë këtyre kontrolleve, janë proceduar penalisht edhe katër shtetas të tjerë për vepra të ndryshme penale. Dy prej tyre, E. G., 29 vjeç, dhe V. H., 51 vjeçe, u proceduan për mbajtje pa leje të armëve të gjuetisë dhe armëve sportive, ndërsa R. G., 54 vjeç, u procedua për mbajtjen pa leje të një arme sportive dhe fishekëve luftarakë.

Për më tepër, në banesën e E. G., në fshatin Mendrak, Kuçovë, u gjetën 16.980 paund britanik, të cilat dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal i tij, pasi ishte dënuar më parë nga autoritetet britanike për kultivim të bimëve narkotike.

Po ashtu, edhe një tjetër shtetas, V. (Q). K., banues në fshatin Magjat, Kuçovë, u procedua për mbajtjen e fishekëve të armëve të gjuetisë. Materialet procedurale janë dërguar për hetime të mëtejshme në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat.

Ndaj Postimin: