Policia zbulon parcelë me 1000 bimë kanabisi në Fier dhe kap në flagrancë autorin e dyshuar gjatë kujdesit për to
Policia e Fierit ka zhvilluar me sukses një tjetër fazë të operacionit “Koordinata”, duke goditur një rast të rëndë të kultivimit të bimëve narkotike në zonën rurale të fshatit Povelçë. Gjatë kontrollit të ushtruar në kanalet kulluese, u zbuluan dhe më pas u asgjësuan 1000 bimë të dyshuara si kanabis.
Gjatë ndërhyrjes, efektivët e Policisë së Fierit arrestuan në flagrancë shtetasin E. Gj., 48 vjeç, banues në Pojan, i cili u kap duke u kujdesur për bimët narkotike. Ai akuzohet për veprat penale të “Kultivimit të bimëve narkotike” si dhe për “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municionit luftarak”.
Operacioni çoi gjithashtu në sekuestrimin e një arme zjarri tip pistoletë, dy krehërash dhe 14 fishekësh luftarak, të gjetura gjatë kontrollit në banesën e të arrestuarit.

Në lidhje me këtë aktivitet të paligjshëm është proceduar penalisht edhe babai i 48-vjeçarit, shtetasi E. Gj., 77 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor në kultivimin e kanabisit në këtë zonë.
Policia ka bërë me dije se bimët narkotike të gjetura janë asgjësuar përmes djegies në vendngjarje, si pjesë e masave parandaluese për përhapjen e aktivitetit kriminal.
Strukturat hetimore të Policisë së Fierit janë ende në terren dhe vijojnë punën për të dokumentuar të plotë ngjarjen, duke synuar identifikimin e të gjithë personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Operacioni “Koordinata” është pjesë e një strategjie të gjerë të Policisë së Shtetit për të frenuar kultivimin e lëndëve narkotike në zonat rurale dhe për të ndëshkuar të gjithë personat e përfshirë.