Një shtetas është arrestuar në flagrancë dhe një tjetër është proceduar penalisht, si rezultat i një operacioni policor të zhvilluar për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit.
Strukturat e Komisariatit të Policisë Lezhë kanë finalizuar operacionin e koduar “Kontrolli”, në kuadër të kontrolleve të ushtruara në disa ambiente të qytetit, ku u konstatuan raste të zhvillimit të basteve sportive përmes aparateve celularë.
Gjatë veprimeve operative, në një lokal u evidentuan dy shtetas duke ushtruar këtë aktivitet të kundërligjshëm. Në vijim, u arrestua në flagrancë shtetasi Simon Bibaj, 32 vjeç, banues në Lezhë, ndërsa shtetasi L. R., 31 vjeç, gjithashtu banues në Lezhë, u procedua penalisht.
Nga kontrollet e kryera, shërbimet e policisë sekuestruan dy aparate celularë, të cilët përdoreshin për zhvillimin e paligjshëm të lojërave të fatit, në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme ligjore.