Operacioni i Policisë në Vlorë zbardh rrjetin e shfrytëzimit të shtetaseve të huaja për prostitucion

Policia e Vlorës arreston një 28-vjeçar nga Tirana, shpall në kërkim një shtetase kineze dhe procedon penalisht tre gra të huaja për veprimtari të paligjshme prostitucioni, ndërsa vijon puna për dokumentimin e plotë të rastit.

Policia e Vlorës ka finalizuar një operacion të koduar “Secret Flat”, duke goditur një rast tjetër të shfrytëzimit të shtetaseve të huaja për prostitucion. Në pranga ka rënë Fatjon Spahu, 28 vjeç, me banim në Tiranë, ndërsa është shpallur në kërkim bashkëpunëtorja e tij, shtetasja kineze Fengmei Gong, 51 vjeçe.

Hetimet zbuluan se këta dy shtetas kishin marrë me qira një apartament në lagjen “10 Korriku” në Vlorë, të cilin e kishin përshtatur për ushtrimin e aktivitetit të paligjshëm të prostitucionit. Ata kishin rekrutuar dhe shfrytëzuar për prostitucion tre gra të huaja me kombësi kineze, duke u ofruar strehim dhe duke u siguruar klientët në këmbim të pagesës.

Në vijim të veprimeve procedurale, janë referuar materialet në Prokurori për veprën penale “Prostitucioni” në ngarkim të shtetaseve H. G., B. A. dhe L. M., të cilat, sipas Policisë, ishin të përfshira në këtë veprimtari të jashtëligjshme.

Operacioni policor u realizua në bazë të të dhënave të siguruara nga inteligjenca policore, me synimin për të luftuar dhënien me qira të ambienteve që shfrytëzohen për veprimtari të paligjshme.

Autoritetet deklarojnë se po vijon puna për të dokumentuar plotësisht këtë rrjet të shfrytëzimit dhe për të arrestuar shtetasen kineze, e cila aktualisht ndodhet në kërkim.

Materialet e çështjes i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme ligjore ndaj të përfshirëve në këtë aktivitet kriminal.

Ndaj Postimin: