Në një operacion të zhvilluar me masa të larta sigurie, strukturat e Policisë së Durrësit në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit, kanë finalizuar me sukses aksionin e koduar “Enigma”, duke arrestuar shtatë shtetas, ndër ta tre persona të shpallur më parë në kërkim ndërkombëtar dhe kombëtar për vepra të rënda penale.
Gjatë një konference për shtyp, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Drejtues Vilson Bala, bëri të ditur se në këtë operacion morën pjesë edhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, përfshirë Drejtorin e Forcës së Posaçme Operacionale, Melsi Koçi, zëvendësdrejtorin për Hetimin e Krimeve, Bujar Deliallisi, si dhe shefin e Komisariatit të Durrësit, Algert Gjonaj.
Operacioni “Enigma” u zhvillua pas informacioneve të marra në rrugë operative, ku rezultonte se disa shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore, të shpallur në kërkim, ndodheshin në ambientet e një restoranti në Gjirin e Lalzit dhe dyshohej se ishin të armatosur. Bazuar në analizën e riskut, në aksion u përfshinë edhe forcat e specializuara të Policisë së Shtetit.
Policia ndërhyri në mënyrë të befasishme dhe, gjatë kontrollit, u gjetën të ulur në një tavolinë shtatë shtetas, përfshirë tre persona të kërkuar për vepra të rënda penale si “trafikim narkotikësh”, “organizim i grupeve kriminale”, “sigurimi i kushteve për të kryer vrasje” dhe “trafikim i mjeteve motorike”. Mes të arrestuarve janë Xhevdet Plaku, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma për trafikim narkotikësh dhe arratisje nga burgu i Ankonës; Flobens Mecia, i kërkuar nga SPAK për organizatë kriminale dhe vepra të tjera të rënda, si dhe Voltan Xhani, i dyshuar për përfshirje në vrasje të ndodhur në Shkodër.
Gjatë kontrollit, shtetasve të ndaluar iu gjetën dhe sekuestruan katër armë zjarri tip pistoletë me fishekë në fole gati për qitje, si dhe sasi parash, euro dhe sende të tjera që shërbejnë si prova materiale në procesin hetimor. Ndër të arrestuarit janë edhe Jugert Xhani, O. H., F. Q. dhe A. H., të dyshuar për mbështetje të autorëve të krimit dhe moskallëzim të krimit.
Hetimet vazhdojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal të personave të arrestuar. Policia thekson se operacioni është realizuar në një kohë rekord dhe me profesionalizëm të lartë, pavarësisht rrezikshmërisë, pasi tre prej të ndaluarve ishin të armatosur dhe të gatshëm për të përdorur armët.
Në përfundim të konferencës, Drejtori i Policisë së Durrësit siguroi qytetarët se strukturat policore do të vijojnë me përkushtim luftën kundër krimit të organizuar dhe çdo veprimtarie të paligjshme, me synimin për të garantuar një ambient të sigurt për të gjithë banorët dhe vizitorët e qarkut Durrës.
Policia fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në numrin 112, duke garantuar anonimat të plotë dhe ndërhyrje të shpejtë e profesionale.